Momenti duket si një paradoks i vërtetë. Napoli papritur mund të cilësohet favorit në duelin ndaj Mançester Sitit në Champions, edhe pse sonte luhet në Angli, por nga ana tjetër tradita është plotësisht negative.
Edhe pse kampionët e Italisë e kanë nisur shumë mirë sezonin, ndryshe nga skuadra e Pep Guardiolës, sërish ata e dinë se duhet të ndodhë ndonjë mrekulli që të fitojnë në ishull.
Në 12 ndeshje jashtë fushe kundër ekipeve angleze nuk është fituar asnjëherë, madje në ishujt britanikë është arritur vetëm një sukses në Skoci në 2022 ndaj Rejnxhërsit, ndërsa janë humbur tre përballjet e tjera.
Trajneri Antonio Konte e përgatiti ekipin e tij i qetë, dhe i bindur në forcat e veta. Jo vetëm që vjet fitoi titullin në Serinë A, por edhe ka bilanc pozitiv ndaj Guardiolës, me 4 fitore e 3 humbje, diçka që shumë pak teknikë e kanë.
Konte gjithsesi ka shqetësimet e tij. Portierët Meret dhe Kontini janë të dëmtuar, po ashtu kapiteni I Kosovës, Amir Rrahmani, dhe sulmuesi kryesor, Romelu Lukaku.
Edhe Mançester Siti nuk është pa probleme. “Qytetarët” kanë disa mungesa si Air Nuri, Mateo Kovacic, Çerki dhe Marmush, por pritet që Stouns të kthehet.
Forma e tyre në Premier ka qenë e paqendrueshme, me dy humbje dhe dy fitore, edhe pse suksesi 3-0 në derbin ndaj Mançester Junajtidit jep shpresë./abcnews.al

