Goditi që në fillim dhe u mbajt deri në fund. Napoli papritur është kthyer në një pretendent për titull në Itali, ndërsa pak kohë më parë jepej i marrë fund.
Nuk ka kaluar më shumë se një muaj që kampionët në fuqi të Serisë A ishin eliminuar nga Championsi dhe nga Kupa e Italisë, ndërsa në kampionat kishin mbetur jashtë katërshes, pra jashtë zonës Champions.
Tashmë, gjithçka është ndryshe. Në Kaljari u arrit fitorja e katërt radhazi, pas atyre ndaj Veronës, Torinos e Leçes, dhe Interi që kryeson është vetëm 6 pikë larg.
Dakord, ka një ndeshje më pak, por matematika i jep napolitanëve shanse shumë të mira. Në Sardenjë mjaftoi goli tepër i hershëm i shënuar nga skocezi Skot Mektominai.
Nuk ndodhi më asgjë, sa i takon rezultatit, por skuadra e dikurshme e Maradonës e meritoi fitoren sepse luajti më mirë. Jo më kot mbajti topin 72 për qind, dhe pati më shumë se dyfishin e gjuajtjeve të vendasve.
Pavarësisht problemeve të ndryshme me dëmtimet, përfshi edhe kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani, sërish Napoli mbetet aty.
Trajneri Antonio Konte fton që fillimisht të mendohet për të siguruar kualifikimin në Champions për sezonin e ardhshëm, por edhe titulli mbetet në shënjestër. Kampionët e Italisë kanë 62 pikë ndaj 68 të Interit./abcnews.al


