Napoli mund sërish Liverpulin, kampion të Europës

schedule12:15 - 18 Shtator, 2019

schedule 12:15 - 18 Shtator, 2019

Karlo Ançeloti tregoi gjithë përvojën e tij në Europë, duke udhëhequr Napolin në fitoren ndaj Liverpulit. Trajneri italian bëri më pas shaka me kolegun e tij, Jurgen Klop.

Championsin e njeh si shtëpinë e tij. Karlo Ançeloti e fitoi dy herë si lojtar me Milanin, dhe u përsërit po dy herë si trajner me të njëjtën skuadër, atë kuqezi në vitet 2000.

Këtë pati parasysh edhe Napoli kur e mori verën e kaluar, dhe të paktën në Ligën e Kampionëve, trajneri i shquar italian nuk zhgënjen.

Fitorja 2-0 ndaj Liverpulit nxorri në pah gjithë përvojën e tij të jashtëzakonshme, që i tregoi rrugën një skuadre të pamësuar me këto nivele për të mundur kampionët e kontinentit.

Ishte e dyta fitore radhazi, pas asaj 1-0 vjet po në “San Paolo”, një festë e një publiku dhe një qyteti që di të kremtojë si pak të tjerë, dhe një pohim se futbolli nuk ka respekt për emra e spaleta, por vetëm për atë që jep në fushën e lojës.

“U ndjeva shumë i lumtur me mënyrën sesi luajti skuadra ime, – tha Ançeloti më pas, – e kontrolluam ndeshjen, diçka jo e vogël ndaj një rivali si Liverpuli. Dua të shoh një skuadër që të ketë besim në vetvete. Kolegut tim, Klop, I thashë të mos shqetësohej pasi kur humb me Napolin fiton Championsin”.

Vlerësime të larta edhe nga mediat italiane.

“La Gazeta delo Sport”: Napoli-luan! Champions, natë magjike në “San Paolo”, Mertens e Jorente shënojnë, Kulibali një gjigand, munden 2-0 kampionët e Europës në fuqi!

“Il Korriere delo Sport”: Si ëndërr! Një Napoli I pjekur fundos Liverpulin 2-0! Të barabartë me kampionët e Europës për 82 minuta, të kaltrit fitojnë në fund!

“Tutosport” jep verdiktin për dy ekipet italiane në Champions: Napoli pa kufij, Inter I vogël! Mertens e Jorente shtrijnë në tokë Liverpulin kampion!

Nuk është se Liverpuli luajti keq, përkundrazi, u paraqit më mirë se vjet kur u mund minimalisht.

Gjithsesi, në Ligën e Kampionëve kur nuk shënon, rrezikon ta pësosh.

Trajneri Jurgen Klop u ankua për gjykimin, duke thënë se penalltia që iu dha Napolit ishte e padrejtë, diçka jokarakteristike për të.

Gjithsesi, ai u shpreh i kënaqur nga ajo që pa.

“Luajtëm më mirë se vjet, po ashtu Napoli luajti mirë, – tha gjermani, – duhet ta pranojmë rezultatin dhe të bëjmë autokritikë, ndonëse nuk ishte një paraqitje e keqe nga ana jonë”.

Gjithsesi, mediat angleze theksuan se pas kësaj humbjeje, Liverpulit nuk i lejohet më asnjë gabim nëse nuk dëshiron të rrezikojë kualifikimin në një grup ku Salcburgu fitoi 6-2 ndaj Genkut. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!