Napoli, mbrojtja, Fiorentina dhe problemi i Juves: Sarri sqaron gjithçka

schedule16:25 - 1 Shkurt, 2020

schedule 16:25 - 1 Shkurt, 2020

Juventusi pret Fiorentinën nesër në drekë (12:30) dhe bardhezinjtë e Sarrit do të japin gjithçka për lënë pas krahëve humbjen kundër Napolit. Fitorja ndaj ekipit nga Firence është detyrim dhe trajneri i “Zonjës së Vjetër” ka prekur disa tema gjatë konferencës për shtyp.

NAPOLI – “Nuk i kam dëgjuar shumë polemikat e krijuara pas humbjes me Napolin, por më duket e çuditshme të dëgjoj ato lloj frazash. Është normale që të jem i lidhur me ata djem me të cilët punova për tre vite te Napoli. Ata më ndihmuan të arrija drejtimin e klubeve të mëdha si Chelsea dhe Juventus. Jam mirënjohës për faktin aty nisi rrugëtimi im që më mundësoi të jem trajneri i Juves, klubit më të madh italian. Tifozët bardhezi janë zemëruar me të drejtë për humbjen dhe lojën e dobët”.

MBROJTJA – “Pësimi i shumtë i golave rrezikohet të na kthehet në ves. Ka raste kur ulim intensitetin pas shënimit të një goli, edhe pse mendoj se e kemi kaluar këtë problem kohët e fundit. Duhet të tregohemi më të vëmendshëm, por nuk është e thjeshtë kur diskutohet më shumë për aspektin psikologjik se sa atë taktik. Po paraqitemi më mirë në Champions dhe Kupën e Italisë, në kampionat na mungon diçka. Rezultatet janë pozitive, por mund të bëjmë më mirë në aspektin e vazhdimësisë”.

FIORENTINA – “Janë një skuadër që mbrojnë me kujdes. I mbyllin mirë hapësirat dhe nisen shpejt në kundërsulm. Duhet të qarkullojmë topin më shpejt në trafikun që do të hasim përballë. Duhet të tregohemi të aftë edhe në mbrojtje, nuk duhet të humbasim pozicionet tona”.

MERKATO – “Nuk kam kërkuar asnjë lojtar në verë dhe tani. Kontingjenti i lojtarëve është i fortë, unë duhet t’i përshtatem karakteristikave të lojtarëve. Nuk mund të bëj revolucion në ekip”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!