Duket nuk e ka fuqinë për t’ia dalë.
Napoli vërtet është kampion në fuqi i Italisë, dhe deri në gjysmën e sezonit u duk se ishte një nga kandidatët kryesore për ta mbrojtur titullin, por tashmë situata ka ndryshuar plotësisht.
Të Kaltrit pësuan një dështim të dytë vetëm pak ditë pas eliminimit të hidhur nga Liga e Kampionëve.
Është Komo në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, edhe pse nuk ishte favorite, edhe pse është një emër tepër modest, e ndonëse ndeshja po luhej në stadiumin “Maradona”.
Lombardët kaluan të parët në epërsi kur shënoi kroati Baturina me penallti në 39’, edhe pse Antonio Vergara barazoi me të nisur pjesa e dytë.
Gjithsesi, paraqitja shumë e mirë e këtij futbollisti nuk mjaftoi. Me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes, me Romelu Lukakun që hyri në 15 minutat e fundit në vend të Hojlundit dhe me disa yje të tjerë në fushë, Napoli I trajnerit Konte nuk pati energjinë e duhur.
Miqtë bënë më shumë, mbajtën më tepër topin, dhe patën numër më të madh gjuajtjesh. U arrit tek penalltitë, dhe lotaria e futbollit këtë herë ishte me Komon.
“Napoli sërish jashtë, -titullon “La Gazeta delo Sport”, që pjesën kryesore të kopertinës ia kushton suksesit të Italisë në Olimpiadën e dimrit, pas Championsit vjen një zhgënjim tjetër!”
E përditshmja nga Kampanja, “Il Matino” shkruan se Kupa ishte sërish e hidhur për Napolin, dhe se trajneri Konte u ankua për arbitrat, duke mos dashur të fliste për titullin kampion!
Skuadra e dikurshme e Maradonës është jashtë Championsit, jashtë Kupës së Italisë dhe në vendin e tretë në Serinë A, 9 pikë prapa Interit.


