Napoli dhe Reali, Gjimshiti: “Los Blancos” ishim mësuar t’i shihnim në TV

schedule16:27 - 18 Shkurt, 2021

schedule 16:27 - 18 Shkurt, 2021

Napoli të dielën dhe Real Madrid të mërkurën e ardhshme. Atalantën e presin dy duele shumë të rëndësishme, të dyja në fushën e vet. Në fillim beteja e kampionatit ndaj skuadrës së Gattusos dhe më pas sfida e parë e raundit të 1/8 në Champions League.

Berat Gjimshiti, një nga pikat e forta të skuadrës bergamaske, ka analizuar dy përballjet e radhës në prononcimin e dhënë për Bergamo TV. Mbrojtësi shqiptar vlerëson kundërshtarët, por ai dhe shokët e tij do të futën në fushë vetëm për fitore.

Napoli luan një futboll të bukur prej vitesh, ata vetëm sulmojnë. Ama, jemi të ndërgjegjshëm për forcën tonë, i kemi vënë në vështirësi në dy takimet e Kupës së Italisë. Nuk duhet të harrojmë as ndeshjen e fazës së parë, ata na mposhtën 4-1 në një ndeshje ku luajtëm shumë keq.

E di që kanë shumë mungesa këtë radhë, por mbeten një ekip me shumë cilësi. Real Madrid? Ata kanë lojtarë të një kualiteti unik. Janë të gjithë lojtarë të nivelit të lartë. Ishim mësuar t’i shihnim në TV, mësonim prej tyre, ndërsa tani përballemi në fushë me ta.

Nuk po flas vetëm për Benzema, por edhe për të tjerë të rinj si Vinicius apo Asensio. Ata nuk janë rastësisht pjesë e Real Madrid. Po flasim për një ekip shumë të fortë që është gjithmonë gati për ndeshjet e rëndësishme.

Ne jemi Atalanta, sigurisht që kemi diferenca me ta, por do të luajmë ndeshjen tonë me synimin për të ecur përpara në këtë kompeticion“, deklaroi Berat Gjimshiti. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!