Napoli beson ende tek titulli kampion në Serinë A. Skuadra ku luan Elseid Hysaj, nuk lejoi shkëputjen e Juventusit pas fitores në fushën e Atalantës.
Ndeshja ishte e vështirë, por doli për mbarë. Napoli mund të thotë se në Serinë A ekziston gara për titull, dhe kjo pas fitores 2-1 në fushën e Atalantës. Formacioni i trajnerit Karlo Ançeloti u ngjit në 8 pikë diferencë me Juventusin kampion e kryesues, dhe padyshim shanset i ka, kur duhen edhe 24 javë deri në përfundim.
Napolitanët e nisën dhe e mbyllën me gol, pasi kaluan shpejt në avantazh, që në minutën e 2-të me anë të Fabian Ruizit, veçse vuajtën shumë nga agresiviteti i vendasve. Skuadra nga Bergamo, që kishte në portë titullar Etrit Berishën, ushtroi presion dhe arriti të barazonte me anë të Zapatës në fillim të pjesës së dytë, por energjitë nuk i dolën deri në fund.
Me më shumë alternativa në stol, Ançeloti bëri lëvizjet e duhura dhe rezultoi fitues. Shënoi Arkadiush Milik, që hyri si zëvendësus, dhe po si zëvendësues edhe Elseid Hysaj, që nuk luajti dot më shumë se 15 minuta. Duel shqiptarësh pati pra vetëm pjesërisht. Karlo Ançeloti nuk deshi të fliste për titullin pas ndeshjes.
“Atalanta është një skuadër shumë e mirë, dhe këtë e dinë të gjithë. U tregua shumë agresive dhe na detyroi të ndryshonim lojën tonë. U detyruam të mbroheshim më shumë sesa e kishim parashikuar, pasi na sulmuan fort. Në fund, kundërshtari u lodh dhe ne arritëm të godisnim. Realizuam objektivin për këtë ndeshje, por duhet të shikojmë përpara”.
“Il Korriere delo Sport” e quan “Areku i Artë, me Napolin që fiton në Bergamo dhe që kthehet në -8 me Juven”.
“La Gazeta delo Sport” vlerëson se “mendoi Miliku, Napoli mbetet 8 pikë prapa Juves”.
Napoli ka 32 pikë pas 14 ndeshjesh të luajtura, ndaj 40 të Juventusit, ndërsa u shkëput në tri pikë diferencë nga Interi që arriti vetëm barazim në fushën e Romës./abcnews.al