Napoli arrin fitoren në fushën e Romës

schedule21:07 - 31 Mars, 2019

schedule 21:07 - 31 Mars, 2019

Napoli fitoi me epërsi të madhe duelin e Serisë A ndaj Romës. Edhe pse u luajt në kryeqytet, napolitanët triumfuan 4-1 me Elseid Hysajn që ishte titullar.

Dikur ishte një nga ndeshjet më të bukura të kampionatit. Roma-Napoli, në “Olimpiko” apo “San Paolo” gjithnjë krijonte spektakël në fushë e në tribuna, por këtë herë, shfaqjen e dha vetëm njëri ekip.

Pikërisht Napoli i trajnerit Karlo Ançeloti që triumfoi 4-1 dhe forcoi pozitat në vendin e dytë në renditjen e Serisë A. Me Elseid Hysaj si titullar, e që luajti deri në minutën e 68-të, nënkampionët e Italisë kontrolluan plotësisht një sfidë që pritej të ishte delikate.

Kaluan shpejt në epërsi që në minutën e dytë me anë të polakut Arkadiush Milik, dhe nuk e patën problem që Roma barazoi me penallti në fund të pjesës së parë, kur u tregua i saktë Diego Peroti.

Pas pushimit avantazhi u kthye dhe u thellua, me rrjetat e shënuara nga Dris Mertens, Simone Verdi dhe Amin Junes. Edhe pse tepër larg Juventusit kryesues, Napoli po vazhdon të tregojë krenari.

Mos vallë kjo është pjesë e projektit të Ançelotit për të krijuar një skuadër të fortë për disa vite, e për të pretenduar më në fund titullin në të ardhmen? Padyshim, objektivi mbetet I tillë, pavarësisht nëse do të munden ta ekuilibrojnë forcën jashtëzakonisht të madhe të Juventusit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!