Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka deklaruar se do të ketë një raund të dytë të analizave të efektivëve të policisë të dyshuar si përdorues droge. Nano u shpreh se në përfundim të këtij procesi do te ketë një informacion zyrtar nga Policia e Shtetit.
“Analizat janë zhvilluar në raundin e parë dhe në do të zhvillojmë përsëri analiza mjekësore. Në përfundim të këtij procesi do keni informacion zyrtar nga policia e Shtetit. Kriteri është grupmosha me risk dhe të gjithë sektorët që janë me risk”, tha Nano.
Në lidhje me ngjarjet kriminale që po hetohen nga policia ai zgjodhi të mos japë informacion për ruajtjen e sekretit hetimor. Nano u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me arratisjen e personave të përfshirë në ngjarje kriminale drejt Dubait duke theksuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për këtë problem.
Ndërsa lidhur me Kuvendin e Partisë Demokratike të njoftuar ditën e nesërme nga ish-kryeministri Berisha, Nano tha se janë marrë masat për ruajtjen e rendit.
“Në lidhje me ngjarjet në hetim nuk mund të jap asnjë detaj pas dëmtohet hetimi. Për pjesën e dytë jemi në kontakt me institucionet ndërkombëtare për të ecur përpara dhe për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje.
Policia është gjithmonë në gatishmëri për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Synojmë dhe gjithmonë policia ka qenë e drejtuar drejt informacionit dhe inteligjencës. Bazuar në informacionet që do të kemi do të merren masa”, u shpreh ai. m.v/Abcnews.al