Gledis Nano ka marrë zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në një ceremoni ku morën pjesë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe paraardhësi i tij Ardi Veliu.
Një urim për Nanon e ka përcjellë ambasada e Italisë në Tiranë, ku shpreh vendosmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mes Italisë dhe vendit tonë në luftën ndaj krimit.
“Urime Kreut të ri të Policisë, Gledis Nano! Të vendosur për të forcuar më tej bashkëpunimin tashmë të shkëlqyer ndërmjet forcave të rendit të Italisë dhe të Shqipërisë për shtetin e së drejtës dhe në luftën ndaj çdo lloj forme të kriminalitetit”, shkruan ambasada.
Gjatë fjalës së tij në ceremoni Nano shprehu angazhimin se do të çojë përpara sfidat e Policisë së Shtetit dhe do të forcojë bashkëpunimin me qytetarët.
Lexo edhe: “U frymëzova nga babai”, betohet Gledis Nano: Kërkesa e parë për policët
Ndërsa paraardhësi i tij, Ardi Veliu ka deklaruar se Policia e Shtetit as fillon me të dhe as mbaron me punonjësit e uniformave blu. Veliu ka akuzuar gjithashtu se persona të caktuar, të cilët i ka etiketuar si “të verbuarit dhe të shurdhuarit” kërkojnë të hedhin poshtë punën e policisë. Ndërsa ministri Çuçi u shpreh se drejtori i ri nuk do ta ketë të lehtë sfidën, ndonëse vlerësoi karrierën e tij profesionale./be.k/Abcnews.al