Nagorno Karabakh një shenjë për shqiptarët

schedule23:40 - 17 Tetor, 2020

schedule 23:40 - 17 Tetor, 2020

Nga K.A.

Ndërsa luftimet vazhdojnë në Nagorno Karabakh, ne na duket sikur është në një vend të largët dhe pa ndonjë interes specifik për kombin tonë. Nagorno Karabakh ka një histori të lashtë. Një nga qytetërimet më të hershme në atë zonë nga ku ka zanafillën kultura armene. Është banuar nga armenët që në shek lV para Krishtit. Është quajtur Artsakh. Më pas 387 pas Krishtit ka qenë pjesë e satrapit të Albanisë kaukaziane. (satrapy of Caucasian Albania). Këtu është hapur shkolla e parë armene në shek e IV. Në vazhdim pushtohet nga arabët dhe persët por përherë është lejuar një administrim nga princat lokalë duke pranuar vasalitetin.

Fushë betejë midis Iranit, Rusisë, Osmanëve. Me një popullsi mbi 150 mijë banorë, ku 90% janë armen. Me ardhjen e bolshevikëve, vend i banuar me armenë etnik i kalohet Azerbajxhanit në një marrëveshje tavoline mbase për të vërtetuar tezën që kombe të ndryshëm mund të jetojnë në një shtet pasi parimet socialiste janë mbi cdo gjë ose mbase për të lënë vatra të hapura konflikti kudo.

Megjithëse kaluan shumë dekada armenët nuk ndaluan së luftuari për autonomi dhe në fund për bashkim me Armeninë. Sidoqoftë tema ngeli e pazgjidhur, e ngrirë dhe askush nuk e mori seriozisht Ilham Aliev kur ditën që erdhi në pushtet deklaroi që do të luftojë e përpiqet cdo ditë që këtë rajon ta marrë përsëri.

Armenët besuan shumë në mbështetjen ndërkombëtare. Lidhja e tyre me Francën por dhe me Rusinë ishte pika e fortë ku mbështeteshin strategjikisht por në të njëjtën kohë dhe burimi i përgjumjes së tyre.

Azerbajxhani rriti ekonominë në sajë të burimeve natyrore por njëkohësisht investoi shumë në pajisje dhe përgatitje ushtarake.

U afrua me Turqinë si asnjëherë më parë. Sheshuan dallimet që kishin dhe befas u bënë një komb me dy shtete. Megjithëse me dallime rrënjësore përsa i përket qasjeve kombëtare, fetare dhe sektike.

Koha e gjetur për të sulmuar ishte domethënëse: Zgjedhjet në Amerikë, kriza e pandemisë ku cdo shtet është në hall të vet, konfliki Turqi-Greqi etj.

Askush nuk ishte shqetësuar kur Azerbajxhani investonte në ushtri. Blinte drone, avion, artileri nga Turqia, Rusia e ku të mundte.

Ne nuk mund të mendojmë që përherë do të jemi të përkëdhelurit e Amerikës, që NATO do të hyj në luftë përsëri për ne.

Që situata faktike mes shteteve qëndron në  status quo pambarim.

Që prapambetjen tonë nuk do e shfrytëzojnë fqinjët.

Përherë i forti do e shtypë të dobëtin. Kjo është thjeshte cështje kohe.

Nëse udhëtojmë në trevat shqiptare po ndodh një transformim i madh në mentalitetin e tyre.

Te shqiptarët e Malit të Zi është venit dëshira e bashkimit me Shqipërinë. Nuk duan të bëhen pjesë e rrëmujës tonë.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë nisur po ndihen mirë në shtetin e tyre. Me hallet që kanë por vazhdojnë përpiqen për zhvillim e bashkëjetese. As Tirana dhe as Prishtina nuk është një yll tërheqës për ta.

Korrupsioni, amullia qeverisëse në 30 vite, mungesa e investimeve të huaja, kriminaliteti në rritje, pamundësia për zgjidhjen e këtij rrethi vicioz në të dyja këto vende ka krijuar një kaos të mendimit kombëtar.

Është për të ardhur keq kur shihet që në Kosovë ditë e më shumë po ndryshon negativisht qasja për Shqipërinë. Kjo e fundit nuk shihet me si mbështetje e cështjes mbarëshqiptare por thjeshtë si një aktor sipërfaqësor dhe e pasinqertë. Nuk shihet si kontribuuese potenciale e natyrshme e ngërçit ekonomik dhe politik në Kosovë por thjeshtë si dikush që më e mira që mund të bëj është thjeshte mos të ngatërrohet.

Asnjëherë shfrytëzimi i cështjes kombëtare për problemet e brendshme në Shqipëri nuk ka ndodhur si sot.

Të dyja shtetet tona po i tregojnë botës që nuk dinë të vetëqeverisen.

Dy të këqij nuk do mund të bëjnë kurrë një të mirë duke u bashkuar por do të prodhojnë një të keqe më të madhe. Kjo është sfida më e madhe e bashkimit kombëtar.

Por koha nuk fal. Në histori nuk ka gjendje latente. Ka ndryshim dinamik dhe garë mes kombeve.

Nëse nuk zhvillon ekonominë, arsimin, shëndetësinë, rendin, ushtrinë vjen një ditë dhe fqinji të shfrytëzon dobësinë.

Përsëri mendoj që duhet të luftojmë në vazhdim të asaj çka na lanë rilindasit e hershëm.

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është e vetmja rrugë për të rezistuar në kohë.

Ky proces do të nisë realisht vetëm kur të dyja vendet të kenë qasje moderne, transparente dhe mirëqeverisje veç e veç.

Por se bashku do të formojmë shtet më kuptimplotë, treg më tërheqës, ekonomi më vitale, buxhet më të madh. Popullsi më shumë. E kemi kusht zgjimin tani që mos të derdhim gjak nesër. Të jemi për njëri tjetrin, të jemi për Europën dhe Amerikën. Duke qenë të këqijtë e vetes s’do jemi të mirët e askujt.