Në ditën e katër të grevës së urisë është përkeqësuar gjendja e naftëtarëve të Ballshit.
Gazetarja Valbona Davidhi raporton për Abc News se deri më tani ndaj naftëtarëve grevistë nuk është marrë asnjë masë dhe nuk ka pasur asnjë asistencë shëndetësore, nuk ka asnjë pjesëtar të stafit mjekësor për të ndjekur gjendjen shëndetësore të tyre që dita ditës vjen në përkeqësim.
Ndërkohë grevistët shprehen të bindur se do të qëndrojnë në grevë deri në marrjen e një zgjidhje përfundimtare në lidhje me problemin e tyre ekonomik, për të marrë pagat e papaguara.
“Dita e katër e grevës sa vjen dhe përkeqësohet gjendja nga kushtet e klimës dhe nga ambjenti i vogël lagështia bën punën e saj. Nga institucionet shtetërore nuk ka asnjë masë”, është shprehur një grevist.
Një tjetër naftëtar grevist thekson se jo vetëm që nuk na dhanë pagat e merituara por na flakën në rrugë.
“Nga ana e qeverisë dhe e ministrisë nuk është marrë asnjë lloj mase, nuk e kuptoj këtë mungesë përgjegjësie ndaj nesh, jemi qytetarë të këtij vendi dhe kërkojmë vemëndje”, ka theksuar një tjetër naftëtar grevist në Ballsh. e.su./abcnews.al