Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar sot, 20 dhjetor, një anije pranë brigjeve të Venezuelës. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë për mediat e huaja. Kjo është hera e dytë gjatë këtij muaji që SHBA-të ndërmarrin një veprim të tillë pranë këtij vendi.
Ky veprim vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën, 16 dhjetor, se kishte urdhëruar një “bllokadë” ndaj cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
Venezuela nuk ka reaguar ende për sekuestrimin e fundit, por më herët ka akuzuar Washingtonin se po përpiqet t’i vjedhë burimet e naftës.
Gjatë javëve të fundit, SHBA-të kanë shtuar praninë e saj ushtarake në Detin e Karaibeve dhe kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve që i konsiderojnë si të përfshira në kontrabandë droge nga Venezuela. Sipas raportimeve, rreth 100 persona janë vrarë në këto operacione.
Megjithatë, SHBA-të nuk kanë paraqitur prova publikisht që këto mjete lundruese po transportonin drogë, ndërsa ushtria amerikane po përballet me kritika dhe hetime nga Kongresi për këto sulme.
Washingtoni akuzon presidentin venezuelian Nicolás Maduro se drejton një organizatë të shpallur terroriste, të njohur si “Karteli i Diejve”, një akuzë që Maduro e mohon. Administrata Trump pretendon se Maduro dhe grupi i tij përdorin naftën e “vjedhur” për të financuar terrorizmin, trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasje dhe rrëmbime.
Venezuela, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, varet pothuajse tërësisht nga të ardhurat e naftës për financimin e shpenzimeve shtetërore.
Njoftimi i Trump për “bllokadën” erdhi vetëm pak ditë pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës, e dyshuar si pjesë e të ashtuquajturës “flotë fantazmë”, që përdorte metoda të fshehta për të shmangur kontrollin.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm nafte dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria venezueliane reagoi ashpër, me presidentin Maduro që tha se SHBA “rrëmbeu ekuipazhin” dhe “vodhi anijen”.

