Eksportet shqiptare kanë vijuar rritjen për të dytin muaj radhazi duke e nisur këtë vit me shifra optimiste.Duket se tashmë efektet e kursit të këmbimit dhe dobësimi i euros përballë lekut kanë filluar ët zbehen.Sipas të dhënave të Instat në Shkurt 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 34 mld lekë, duke u rritur me 4,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,3 %, në krahasim me Janarin e 2025. Si rezultat kjo ka ndikuar në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit i cili është ulur me 18.6%.
Sipas Instat nëse bëjmë një vlerësim të vlerës së eksporteve në dy muaj rezulton se tregtia me jashtë kapi vlerën e 65 mld lekëve, duke u rritur me 4,6 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 128 mld lekë, duke u ulur me 4,7 %, krahasuar me një vit më parë.
Eksportet, gjatë këtij dymujori janë rritur me 4,6 %, krahasuar me një vit më parë.Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me një rritje prej 12% ndjekur nga “Ushqime, pije, duhan”
Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me një rënie prej 6,3% ndjekur nga “Tekstile dhe këpucë” dhe “Produkte kimike dhe plastike”.
Në muajin Shkurt 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2024 janë: Kosova , Greqia dhe Gjermania. Shkëmbimet tregtare, për dymujorin e parë 2025, me vendet e BE-së zënë 58 % të gjithë tregtisë.