Rafael Nadal arrin në gjysmëfinale të Grand Slemit të Nju Jorkut, pas fitores me argjentinasin Shvarcman. Tenisti spanjoll pati shqetësime të mëdha fizike, por ia doli.
Nga të ashtuquajturit “tre mosketierët” ka mbetur vetëm ai.
Rafael Nadal nuk e la pa një pretendent të madh Grand Slemin e US Openit, dhe kaloi në gjysmëfinale, në emër edhe të të eleminuarve të shquar si Novak Gjokoviç e Rozher Federer.
Tenisti spanjoll, numri 2 I botës që mund të bëhet numri 1 javën e ardhshme, kaloi në tre sete argjentinasin Diego Shvarcman, në një ndeshje që ishte shumë më e vështirë sesa e tregon rezultati.
Nadali triumfoi 6-4, 7-5 e 6-2, duke vuajtur në dy setet e parë, dhe sidomos duke pasur shqetësime të mëdha fizike.
Në Arenën “Arthër Ejsh” të Nju Jorkut u krijua përshtypja se 33-vjeçari po pësonte fatin e Gjokoviçit, diçka që e pohoi edhe vetë spanjolli.
“Problemet fizike të Nadalit që na bënë të dridheshim, – theksoi më pas, gazeta “Marka”, – kampioni pranon se kaloi momente shumë të vështira”.
Duket se në setin e tretë, 18 herë fituesi I Grand Slemeve u ndje më mirë dhe fitoi me lehtë.
Shvarcmani luajti mirë dhe shpesh pati në krah publikun, por gjithsesi mbeti pa asnjë fitore ndaj legjendës spanjolle, me të cilin I ka humbur të 8 ndeshjet e luajtura.
Në gjysmëfinale, Nadal do të ndeshte me italianin Mateo Berretini, që kaloi në 5 sete francezin Monfil.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, – deklaroi fituesi, – dhimbjet në momente të caktuara ishin të mëdha, dhe pata frikë më të keqen. Për fat, me ndihmën e masazheve ia dola dhe mund të mendoj për të fituar këtë Grand Slem. Ndaj Berretinit nuk do të jetë e lehtë, pasi italiani ka bërë hapa gjigandë përpara, kohët e fundit”.
Gjysmëfinalja tjetër ka përballë rusin Medvedev dhe bullgarin Dimitrov. /ABC News Albania 24/7

