Detaje të reja kanë dalë në lidhje me masakrën e djeshme në Klos, ku mbetën të vrarë Kenado, 17 vjeç dhe Liri Shira, 46 vjeç (babë e bir) dhe të plagosur Eglantin dhe Renato Hasula (babë e bir).
Autori Fiqiri Mjeshtri pas masakrës qëlloi veten me armë e për pasojë humbi jetën.
Sipas informacioneve të deritanishme shkak për këtë ngjarje dyshohet se është bërë vajza e autorit, Fiqiri Mjeshtri, së cilës i shkruante në rrjetet sociale djali i Eglantin Hasulës, çka ka sjellë edhe përplasjen e Liri dhe Kenado Shira me Fiqiri Mjeshtrin. 17-vjeçari Renato Hasula i shkruante vajzës 16-vjeçare të Fiqiri Mjeshtrit në rrjetin social Instagram.
Ky i fundit, së bashku me vëllezërit e tij Besnik dhe Fatmir Mjeshtri, shkuan të sqaroheshin në lokal.
BW ka publikuar dëshminë e kryeinfermierit, Bashkom Doda, që ndodhej në spital, në momentin kur babë e bir Eglantin dhe Renato Hasula mbërritën në qendrën spitalore,
Ai tha se djali erdhi vetë në këmbë në qendrën shëndetësore.
“Rreth orës 1 e ca të drekës, gjatë turnit të parë, ka ardhur në qendrën shëndetësore një djalë i ri, i plagosur me armë zjarri. Ishte i plagosur në pjesën e qafës dhe në shpatull. I kemi dhënë ndihmë mjekësore. Më pas me ambulancë e kemi çuar drejt spitalit të Burrelit. Në këto momente ka ardhur dhe babai i tij, me mbiemër Hasula. I dhamë ndihmën e shpejtë, ai ishte më rëndë. Kishte plumb në shpatull dhe në qafë. I vendosëm oksigjen. Djali thoshte; ‘na shpëtoni’. Ndërsa babai ishte më rëndë. Ne i kemi bërë disa pyetje për të parë nëse kishte parametrat në rregull. Djali erdhi vetë në këmbë në qendër shëndetësore.”, tha kryeinfermieri.