“Na shpëtoi një gjykatës serb, me Spanjën veç ndeshje futbolli”, Ujkani flet për Marca

schedule11:36 - 30 Mars, 2021

schedule 11:36 - 30 Mars, 2021

Samir Ujkani, pas gjithë polemikave dhe gjesteve shpërfillëse nga mediet dhe kombëtarja spanjolle ka vendosur të flasë për Marca dhe të tregojë historinë e tij të dhimbshme dhe faktit se ajo është veçse një ndeshje futbolli dhe nuk ka të bëjë me politikën.

KALIMI TE KOSOVA – “Kam lindur në Kosovë, Vushtrri, që ishte pjesë e Jugosllavisë. Në vitin 1994 kemi ikur për shkak të luftës në Belgjikë. Jam rritur atje dhe mund të zgjidhja të luaja për Belgjikën ose Shqipërinë. Zgjidha këtë të fundit sepse familja ime është shqiptare e Kosovës dhe përfaqësuesja e Kosovës nuk ekzistonte.

Kam luajtur 20 ndeshje me Shqipërinë. Por ishte një ëndërr të luaja për Kosovën dhe sapo Kosova u njoh nga UEFA nisa procedurat për të ndryshuar ekipin përfaqësues. Isha i pari që e bëra dhe nuk e kisha problem edhe nëse luaja vetëm miqësore. Doja të ndihmojë për të shfaqur imazhin pozitiv të Kosovës”.

LUFTA E KOSOVËS – “Kam humbur dy xhaxhallarë dhe bashkëshortet e tyre, gjithashtu gruan e kushëririt me vajzën e saj. Më pak fjalë, janë histori të vështira, që ndodhin në luftëra. Përveç kësaj ne humbëm gjithçka sepse shtëpitë në fshatra e qytete u rrafshuan të gjitha, u dogjën. Familja ime duhej të fillonte nga e para. Babai arriti të na çonte në Belgjikë, një vend të cilit i detyrohem shumë. Ishim pa shtëpi, pa pun si të gjithë kosovarët e tjerë dhe ata na ndihmuan.

Para luftës babai im u akuzua për diçka që nuk e kishte bërë kurrë. Për fat të mirë një gjykatës serb, që ishte njeri i mirë i tha: Largohu nga Kosova sepse ajo që pason është lufta. Ishim aq me fat dhe babi e dëgjoi fjalën e tij. Shkuam në Belgjikë dhe një vit më vonë erdhi ferri.

 

Shumë të afërm nuk donin të linin shtëpitë e tokat ë tyre, për të cilat kishin investuar aq shumë dhe nuk pranuan të largoheshin. Babi im tha se nuk i interesonte sepse nuk donte të rrezikonte gruan dhe djemtë e tij.

Ne jemi brez i rritur mes luftës dhe mërgimit. Tani kemi shumë të rinj në skuadër, që kanë pasur fatin të lindin jashtë vendit. Por ne që kemi lindur në Kosovë veçanërisht jemi krenarë që vijmë nga ai vend. Ne duam të argëtohemi duke luajtur futboll. Nuk duam të bëjmë luftë ose të pretendojmë ndonjë gjë. Ne duam të rritemi si skuadër, që Kosova të veçohet për futbollin e mirë që bën”.

POLEMIKAT – “Polemikat para ndeshjes me Spanjën? Sporti për fat të mirë është më i fortë se politika. Gjithçka ka shkuar mirë. Kundër Ukrainës na u desh të luanim në Poloni. Sporti hap dyert, bashkon vendet dhe njerëzit. Me të gjitha problemet që ka kjo botë, futbolli duhet të shërbejë si lehtësim, qetësi.

Nuk ia vlen të flitet për marrëdhëniet Spanjë-Kosovë. Përkundrazi, të flasim për futbollin. Është një ndeshje historike kundër një fuqie botërore. Nder për ne. Kemi besim se mund të lëmë një imazh të mirë”.

 

OBJEKTIVI – “Të shohim. Do ishte mrekulli nëse arrinim diçka ndaj Spanjës. Niveli ynë është të luftojmë me Greqinë, jo me Spanjën. Por secila ndeshje është e ndryshme. Duam të argëtohemi dhe të shohim ç’do të ndodhë. Më i miri te Spanja? Është e pamundur të zgjedhësh një.

Nëse dëshiron bëj një listë. Një brez shumë i mirë të rinjsh po vjen gjithashtu. Spanja luan shumë bukur, mezi presim të luajmë ndaj tyre.  Idhulli im i parë ka qenë Gianluca Pagliuca. Kur u rrita më pëlqeu shumë Casillas, me pritjet e tij të mëdha në Champions League”, u shpreh Ujkani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!