“Na pret një sfidë e vështirë”, Allegri i druhet transfertës: Monza është e pamposhtur në “shtëpi”

schedule14:16 - 30 Nëntor, 2023

schedule 14:16 - 30 Nëntor, 2023

Kampionati italian i futbollit, Serie A, çel mbrëmjen e së premtes, siparin e javës së 14-të, me sfidën Monza-Juventus, me “bardhezinjtë”, që do të kërkojnë në transfertën e “Briante”, fitorën, për të mbajtur nën presion “zikaltërit” kryesues, sidomos pas barazimit, që arritën t’i merrnin këtyre të fundit, në “Allianz Stadium”, të dielën e shkuar.

Siç e do zakoni, një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca për shtyp, nga ku tekniku Massimiliano Allegri e konsideroi ndeshjen, si të komplikuar, teksa risolli në kujtesë sezonin e kaluar, ku Monza e mposhti në të dyja ndeshjet e kampionatit, e më tej shtoi se lojtarët edhe mund ta mendojnë titullin, por ai nuk merret me fjalët e dhomave të zhveshjes.

“Monza është e pamposhtur në shtëpi, është e vetmja skuadër e cila në sezonin e kaluar na ka marrë gjashtë pikë dhe që nuk arritëm t’iu shënonim. Do të ishte një gabim i madh nëse nuk i japim rëndësi ndeshjes ndaj Monzës, Juventus i njeh mirë limitet e tij. E dimë gjithashtu që jemi edhe në një pozitë të mirë në klasifikim. Kemi edhe gjashtë ndeshje deri në fundin e fazës së parë, nga këto katër janë në transfertë, ndaj është shumë shpejt për të dalë në përfundime.

Nuk e di se çfarë mendon skuadra për titullin, por unë nuk dëgjoj bisedat që bëjnë lojtarët në dhomat e zhveshjes. Nuk marr pjesë në ato bisedime. Klasifikimi ndërtohet ndeshje pas ndeshje, objektivi minimal është kualifikimi në Champions. Këtë sezon që mbetëm jashtë Champions u dëmtuam shumë në aspektin teknik dhe financiar.

E ardhmja? Kam një kontratë deri në vitin 2025 dhe kam gjithashtu një raport shumë të mirë me drejtuesit e klubit. Po punojmë për të ndërtuar Juventusin e së ardhmes. Tek Juventus kam mësuar se njerëzit kalojnë dhe zëvendësohen, por ajo që mbetet e njëjtë është ADN-ja e klubit. Mjafton të qëndrosh i qetë dhe të fokusohesh te puna”,- u shpreh Allegri. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!