Klubi i Tiranës ka reaguar edhe zyrtarisht në lidhje me shkarkimin e trajnerit Orges Shehi, vendim i marrë paraditen e të enjtes, dy ditë pasi bardheblutë u mposhtën nga Laçi me rezultatin 0-3 në “Selman Stërmasi”.
Në komunikatën zyrtare, Tirana e quan një pezullim nga puna atë të Orges Shehit dhe konfirmon se marrëveshja kontratore mes palëve do të vijojë deri në përfundimin e saj.
Natyrisht bëhet fjalë më shumë për një teknikalitet ligjor, me Tiranën që mban kështu të lidhur Shehin, duke mos i dhënë mundësinë të firmosë diku tjetër, por me koston që do të duhet t’i paguajë rrogën deri në fund të kontratës.
Gjithsesi ajo që vlen është se Orges Shehi nuk do të jetë më në stolin e Tiranës dhe vendimi është marrë vetëm dy ditë para klasikes së futbollit shqiptar ndaj Vllaznisë, e cila do të luhet në Kukës të shtunën./ h.ll/abcnews.al