Myftiu i Tiranës Lauren Luli deklaroi se pas viteve ’90 kur të gjithë komunitetet fetare kishin vakancë për shkak të periudhës së komunizmit, në rrethin e islamëve kishte një brez që kishin mbaruar Medresenë e Naltë. Luli u shpreh në “Log.” në ABC se më pas shumë tjerë morën rrugën e studimit që studionin në Fakultete të ndryshme.
“Komiteti Mysliman ka pasur fatin e mirë që pas viteve 90 kur të gjithë komunitetet fetare kishin një vakancë, ne kishim një brez që mbaruan Medresenë e Naltë. Hafiz Sabri Koçi bashkë me një pjesë të kolegëve të tij ishin ata që mbajtën barrën kryesore. Më pas shumë prej studentëve morën rrugën e studimit që të studionin në Fakultete të Ndryshme. Unë kam mbaruar Medresenë në Cërrik.
Më pas për të pasur mundësinë për t’u bërë një kuadro i kualifikuar duhet të studionim Fakultetin e Shkencave Islame. Duke mos pasur mundësinë për të studiuar në vendin tonë kur kthehesh mbrapa ka grimcat e traditës në vendin ku jetojmë. Është aftësia e institucionit për t’i korrigjuar dhe pastruar. Nuk mund ta quajmë një sukses absolut sepse kjo është e pamundur të ndodhë por sot kemi drejtues të institucioneve mundohen për këtë”, u shpreh ai.
Luli deklaroi se harmonia në Shqipëri është një lloj tradite e bukur që nuk mund të qëndrojë vetë në këmbë dhe ka nevojë për shërbim dhe pjesë ligjore.
“Sot ne kemi boll konflikte me origjinë fetare nëpër botë edhe atje ku ligji është në nivelin më optimal. Nuk kemi një harmoni të tillë. Ka shembuj sa të duash. Sot ne kemi pjesëtarë brenda familjes që i përkasin feve të ndryshme. Është një lloj tradite e bukur që faktikisht duhet të flasim për të.
Kjo harmoni nuk mund të qëndrojë vetë në këmbë dhe të ecë në inercinë e saj. Ka nevojë për një shërbim. Ka nevojë për pjesën ligjore në të cilat bashkëveprojnë komunitetet shqiptare. Në pjesën e shamisë, duhet përcaktuat që nuk është simbol por një obligim fetare. Sa i përket pjesë së mbulesës totale është diçka ekstra që nuk të detyron feja”, tha ai. m.v/abcnews.al