Muzikanti shëtitës/ Emiljano “elektrizon” rrugët e Shqipërisë me daullen 100-vjeçare

schedule20:35 - 6 Prill, 2024

schedule 20:35 - 6 Prill, 2024

FIER- Janë tinguj të një epoke kur veglat muzikore bëheshin me lëkurët e kafshëve, e megjithatë ngrenë peshë zemrat dhe i japin atmosferë festave.

Ky është Emiljano Hamzai, rom nga Lushnja. Ka 20 vjet që shëtit rrugëve të Shqipërisë me daullen 100 vjeçare të trashëguar nga gjyshi dhe babai.

Me këtë punë Emiljano siguron të ardhura për familjen. Por festat nuk zgjasin përgjithmonë, ndaj ai si shumë të tjerë të komunitetit të tij, mbledh materialet e riciklueshme nga koshat e mbeturinave.

 “ Kur s’ka festa dal mbledh kanaçe, s’di çfarë të bej tjetër, s’jam arsimuar”, tha ai.  Por nëse babai i la trashëgimi vetëm një daulle, 30-vjeçari po i arsimon fëmijët e tij për ta pasur më të lehtë jetesën.

“Unë vetë jam pa shkollë po fëmijët po i çoj në shkollë, të mos mbeten si unë, të gjejnë një punë..”

Por edhe nëse do të kishte studiuar do të ishte patjetër muzikant, madje vite më pare e ka krijuar dhe publikuar një këngë.

“ Do bëhesha kompozitor ose këngëtar. Madje e kam bërë një këngë qe kemi nxjerrë kur ishim në Greqi me çunat”

Muzikantët shëtitës që krijojnë atmosferë gjatë festave përveç motiveve të trashëgimisë popullore ekspozojnë edhe instrumente relikte si daullja e Emiljanos, me origjinë të lashtë por që po rikthehen në modë.

“Daullja vjen nga tradita e veriut, është bere trend tani, veçanërisht nëpër dasma, kërkohet shumë jo një po disa daulle. Krijon atmosfere dhe  ka efekte skenike”

 Vetë muzikantët shëtitës janë një traditë popullore me daljet dhe performancat e tyre në rrugë gjatë festave, veçanërisht gjatë ditëve të Ramazanit./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!