Më shumë se 1,400 muzikantë profesionistë finlandezë kanë nënshkruar një peticion duke bërë thirrje që Izraeli të ndalohet nga Festivali i Këngës së Eurovisionit të këtij viti për shkak të krimeve të luftës kundër palestinezëve në Rripin e Gazës.
Nëse Izraeli nuk përjashtohet nga konkursi, ata kërkojnë të tërheqin aplikimin e Finlandës për konkursin më të madh evropian të muzikës, i cili do të organizohet këtë vit nga qyteti suedez i Malmos.
Lukas Korpelainen, një nga iniciatorët e peticionit, i tha gazetës Hufvudstadsbladet se nuk është e pranueshme që Izraeli “të marrë pjesë në Eurovision Song Contest për të përmirësuar imazhin e tij“.
Midis nënshkruesve janë muzikantë që përfaqësonin Finlandën në konkurset e mëparshme të këngës në Eurovision.
Në dhjetor, EBU lëshoi një deklaratë duke thënë se Eurovision është “për transmetuesit, jo qeveritë” dhe se Izraeli ka marrë pjesë në konkurs për 50 vjet.
Ajo shtoi se organizatat anëtare ranë dakord që transmetuesi publik izraelit “respekton të gjitha rregullat” dhe insiston që Festivali është një “event jo-politike“.
Kujtojmë që më shumë se 23,350 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës gjatë luftës midis Izraelit dhe organizatës ekstremiste palestineze Hamas, kryesisht fëmijë dhe gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Lufta filloi në tetor pasi anëtarët e Hamasit pushtuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
Izraeli nisi hakmarrjen në Rripin e Gazës, fillimisht me sulme ajrore dhe më pas me sulme tokësore, me qëllimin e shpallur të “shkatërrimit të Hamasit” dhe të gjitha kërcënimeve të ardhshme ndaj Izraelit nga territori palestinez.
Gjatë rrethimit të Rripit të Gazës, civilët palestinezë u detyruan të kërkojnë vende më të sigurta në zonë, nga të cilat praktikisht nuk ka asnjë, dhe shumica e tyre janë në prag të urisë, dhe ka mungesë të ilaçit dhe karburantit./abcnews.al