Një intervistë miqësore që zgjati dy orë ishte ajo mes kandidatit republikan për president, Donald Trump dhe sipërmarrësit miliarder Elon Musk. Ngjarja e paralajmëruar u zhvillua në platformën e mediave sociale të Musk X, por biseda nisi mbi më shumë se 40 minuta me vonesë për shkak të problemeve teknike.
Musk, tashmë një republikan i zëshëm, fajësoi për vështirësitë një sulm kibernetik që mohoi shërbimin, por pretendimi i tij nuk mund të verifikohej. Intervista u ndoq në kohë reale nga 1.3 milionë njerëz.
Ajo nisi me Musk që lavdëroi Trump për trimërinë e tij gjatë atentatit muajin e kaluar. “Unë mendoj se ju jeni rruga e duhur,” i tha Musk Trumpit në përfundim të intervistës.
Ndërkohë që përgjatë bisedës kandidati republikan T rump i tha Musk se SHBA do të kenë dëbimin më të madh të emigrantëve në histori nëse ai bëhet president në nëntor. Gjithashtu u shpreh se dëshiron të ndërtojë një sistem mbrojtës me kube të hekurta për të mbrojtur vendin nga kërcënimet e huaja.
Biseda me manjatin e teknologjisë i ofroi Trumpit shansin ideal për të tërhequr vëmendjen nga rivalja e tij demokrate, zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila dominon mbi të në sondazhet e fundit të mediave amerikane.
Trump u ndal gjatë e gjerë edhe te Kamala Harris, duke e cilësuar atë si “të shkallës së tretë”, “të paaftë” dhe “një të çmendur të majtë radikale”. Por më pas ai lavdëroi pamjen e saj, duke e cilësuar si aktorja më e bukur që ka jetuar ndonjëherë.
Pas intervistës, emaile nga fushata e Harris u shpërndanë me shpejtësi, duke sulmuar transmetimin e drejtpëdrejtë Musk-Trump.
Pasi përfundimit të bisedës, Musk në një postim në të njëjtën platformë, X, ftoi zv. Presidenten Harris për t’iu bashkuar në një intervistë të ngjashme.
Ndonëse një kritik i automjeteve elektrike, Trump duket se ka ndërruar mendje që kur Musk, pronar i kompanisë Tesla, nisi ta mbështesë publikisht atë. Ish presidenti i përshkroi makinat elektrike të prodhuara nga Tesla si “të pabesueshme”.
Trump shprehu vlerësimet për presidentin rus Vladimir Putin, presidentin kinez Xi Jinping dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un. Të njëjtin mendim me të ndan edhe Elon Musk.
Donald Trump në këtë mënyrë rikthehet me postime në X pas 3 vitesh. Pas sulmit ne Capitol me 6 janar 2021, u shtuan shqetësimet se ai mund të nxiste dhunë në rrjete sociale, por ishte Elon Musk ai që i riktheu Trumpit llogarinë me 89 milionë ndjekës./abcnews.al