Deputeti i PS-së, Musa Ulqini, në një intervistë për ABC News, është shprehur se mazhoranca do të pranonte nëse Meta do të merrte përsipër që të ulte partitë politike në tavolinë. Duke komentuar deklaratën e Presidentit, i cili bëri thirrje që palët duhet të ulen dhe të dialogojnë, deputeti socialist tha se priste që Meta të merrte përsipër dialogun.
“E para dialogu është thelbi i demokracisë. E dyta shefi i mazhorancës e ka shprehur qartësisht në takimin me Diasporën kërkesën e tij për dialog. E treta unë prisja që Zoti Meta të merrte përsipër një detyrim në përputhje me mandatin që ka për të ulur palët në tavolinë. Ne e mirëpresim çfarëdolloj ftese që bëhet për dialog. Dialogu vetëm të mira i sjell stabilitetit të vendit dhe funksionimit të demokracisë. Në dijeninë time në historinë e pluralizmit shqiptar tre herë palët janë ulur në tavolinë, është takimi i famshëm i Triestes, është takimi i famshëm Berisha-Nano dhe marrëveshja e 17-Majit i viti 2017. Nga këto tre marrëveshje kur palët janë ulur në tavolinë Shqipëria ka patur vetëm të mira nuk ka patur të këqija. Pavarësisht se skifterët e të gjitha palëve e kanë anatemuar një gjë të tillë. Këtu ne jemi të gatshëm për t’u ulur, megjithëse opozita me veprimin që bën dhe me gjuhën që përdor ai duket se i ka pre të gjitha dhe refuzon çdo formë dialogu”.
Pak ditë më parë në studion e ABC News, sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, u shpreh se presidenti ka detyrën e tij dhe e di se si të sillet në këto situata, por theksoi gjithashtu se nuk do të ketë ulje në tavolinë me Ramën.
Pra parimisht, duket se të dyja palët politike e pranojnë Presidentin si ndërmjetës për uljen e palëve në tavolinë. Por nga ana tjetër për Ulqinin, mazhoranca refuzon të bëjë negociata sepse sipas tij nuk negociohet me vullnetin e popullit që është shprehur në zgjedhjet e 2017-s. Megjithatë për mazhorancën, Meta është i mirëpritur nëse merr përsipër dialogun.
“Gati për t’u ulur në tavolinë për dialog. Për të dialoguar për garanci çfarë garancish ofron opozita tek dokumentet që përcaktojnë rregullat e lojës. Ne refuzojmë të bëjmë negociata sepse nuk negociojmë vullnetin e popullit që e ka shprehur qartë në zgjedhjet e 2017. Në sinkron me ne është edhe faktori ndërkombëtarë i cili thotë se zgjedhjet e 2017 janë zgjedhje të pakontestueshme, parlamenti dhe qeveria janë legjitime. Nëse Meta merr përsipër dialogun është i mirëpritur”.
Më tej socialisti është shprehur se ndihet i keqardhur për djegien e mandateve të opozitës.
“Unë nuk e shikoj si kundërshtarë politik dhe ajo është një forcë politike e cila ka investuar në formimin e demokracisë. Sot kjo opozitë ka djegur mandat kur po hapën negociatat, kur po jetësohet reforma në drejtësi. Unë kam keqardhje se pse ndodhi kështu. Pas 28 vitesh të gjithë kemi të drejtë të mësojmë nga gabimet. Pas 28 vitesh të gjithë ne këtu kemi parë se si funksionin. Është një gjë që nuk e justifikon veprim. Është një veprim parapolitik. Si e morën këtë veprim me kë u konsultuar?! Ata kanë qenë betuar për ato mandate. Unë nuk kam fare dëshirë të merrem me çështjen se kush vjen dhe çfarë përfaqëson. Unë dua të shpreh keqardhjen time të thellë”.
Ai gjithashtu ka theksuar se mazhoranca nuk është sjellë arrogante në sallën e Kuvendit, sikundër pretendon opozita.
“Duhet bërë një analizë se si është sjellë mazhoranca drejt opozitës. Shifrat janë alarmante dhe qesharake sepse ata nuk kanë bërë detyrën. Ne kemi miratuar 30 ligje në Parlament dhe është një pritshmëri shumë e madhe reforma në drejtësi dhe vetën dy ligje ka votuar opozita. Dhe këtu është arroganca e Edi Ramës, e mazhorancës?!”/abcnews.al