Murrizi pyet kryeprokuroren për 700 CD të pazbardhura në dosjen 339

schedule14:45 - 27 Maj, 2019

schedule 14:45 - 27 Maj, 2019

Zbardhja e 700 CD-ve të Dosjes 339 po ecën me ritme të shpejta. Kështu i është përgjigjur interesimit të deputetit të grupimit demokratik Myslim Murrizi kryeprokurorja në detyrë Arta Marku pas prezantimit  përpara Komisionit të Ligjeve të raportit të Prokurorisë për vitin 2018.

Zbardhjen e Dosjes 339 nuk e kërkon vetëm opozita jashtë parlamentit por ajo Brenda institucionit. Është deputeti Myslim Murrizi që kërkon një përgjigje nga kryeprokurorja në detyrë Arta Marku për 700 CD e përgjimeve që nuk janë transkriptuar.

“700 CD e përgjimeve. Janë përgjuar prej vitesh thotë. Janë përgjuar kot për qejf këta. Është kthyer në call center prokuroria.Po bëjnë videoklip këta? Çfarë është kjo gallatë që harxhohen pare nga taksat e shqiptarëve. A ndiheni përgjegjëse për një anëtar të KLP që rezulton bashkëpunëtor i sigurimit me emrin Venusi, se ka vajt me firmën tuaj?”

Prokurorja e përgjithshme në detyrë Arta Marku pranon se nuk janë zbardhur 700 CD , një çështje e referuar që në vitin 2016 tha ajo.

“Për 700 CD e pazbardhura, janë shumë është e vërtetë. Kam ndërhyrë sipas komptencave. Kjo çështje është referuar që në vitin 2016. Vetëm në vitin 2018, është parë kjo problematikë e përgjimeve të pazbardhura. Duket numri i lartë po është normal duke marrë parasysh volumin e çështjes. Janë dy prokurorë dhe 11 oficerë të policisë gjyqësore që po merren me këtë. Po ecet me ritme të shpejta. Për një pjesë të të pandehurve është ndarë çështja, s’ka lidhje me zgjedhjet, por me trafikimin e narkotikëve, në këtë pikë është edhe dosja 184”.

Këto përgjigje kryeprokurorja në detyrë i dha pas prezantimit përpara Komisionit të Ligjeve të raportit të Prokurorisë për vitin 2018, vit në të cilin janë ndarë edhe pasojat e vettingut tek radhët e prokurorëve tha ajo.

“2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për shkak të Vettingut. Janë bërë shumë shkarkime prokuroresh prandaj kanë qenë pak apatike sepse ky proces i ka bërë të pasigurtë”.

Prokuroria e përgjithshme ka bërë dhe matjen koeficientit të kriminalitetit në vend. Përfundimet kanë nxjerrë Vlorën si qarkun me numrin më të lartë të veprave penale për numër banorësh dhe Dibrën si qarkun me shifrat më të ulëta të rekordeve kriminale. /ABC News Albania 24/7