Murrizi: 70% e familjeve shqiptare në limitet e mbijetesës, Shqipëria ka borxhin më të madh publik

schedule12:16 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 12:16 - 3 Dhjetor, 2020

Deputeti i opozitës, Myslym Murrizi këtë të  enjte në Kuvend është shprehur se nuk do të votojë marrëveshjet që e thellojnë më shumë borxhin publik të shqiptarëve.

Murrizi në fjalën e tij është shprehur se në kohën më të vështirë kur një shtet dhe një familje është në mort dhe qeveria kujtohet për të harxhuar para për tualet kjo më duket jo normale.

Sot janë dy marrëveshje që kërkojnë votën e parlamentit, dy marrëveshje që kërkojnë marrjen e 75 mln eurove borxh ndërkohë që borxhi publik i Shqipërisë është 11.5 miliardë euro borxh publik për tu paguar.  Ajo që unë vërej me habi dhe çuditem është se si kolegët socialistë e duartrokasin e quajnë arritje dhe kur i dëgjoj me vete them i hangërt mortja qeveritë evropiane që nuk vijnë dhe nuk marrin shembull këtu se sa mirë e kemi menaxhuar ne situatën dhe sa mirë po e ruajmë vetën por dhe rajonin.

Dëgjova kolegun Beqja dhe nga ajo 23 mln euro tha se shqiptarët i kanë marrë në xhepa, 24 mln euro për 14 mijë familje që ngelën jashtë nga tërmeti nuk i bie asgjë, pasi qiraja është në xhepat e qiradhënësve nëse doni ta cilësoni sukses të madh për këtë qofshi ju që jeni. Kur dëgjoj në këtë kohë qameti që ju keni kohë për të rehabilituar muze dhe vepra të tilla do të ishte shumë mirë por në një kohë tjetër. Unë nuk jam kundër investimeve në bashki por që të kujtohen sot vetëm 5 muaj në zgjedhje dhe të mburresh se po çon para diku jo për të zhdukur varfërinë por për kohën që jetojmë rrush e kumbulla dhe buzëkuqe, kur një shtet është në mort dhe ju doni të harxhoni para për tualet më duket jo normale.

15 milionë eurot e pandemisë nuk kanë asnjë lloj shpjegimi si dhe për 100 milionë eurot e tjera nuk është dhënë shpjegim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës. Në dijeninë time 15 milionë eurot e marra për pandeminë do të shkojnë në shumicën dërrmuese të tyre për rikonstruksionin e godinës së Institutit të ISHP-së. Pjesa tjetër do të blihen ca I-pad dhe do na u përhapka teknologjia apo mbrojtja nga pandemia nëpërmjet informacioneve në kohë reale dhe koherente. Të dyja së bashku të futura në marrëveshje të veçanta janë 115 milionë euro, nga të cilat 75 milionë euro do t’i paguajnë shqiptarët nga sot e në vazhdim. Pjesë që do t’i shtohet borxhit të madh publik marrë në 30 vite pothuajse nga të gjitha qeveritë”, është shprehur Murrizi./abcnews.al