Vedat Muriqi shënoi një gol kundër Lituanisë në miqësore, ndërkohë që tregoi se nuk ka qenë i lehtë kalimi në Itali te Lazio. Në lidhje me fitoren e arritur sonte, me rezultatin 4-0, sulmuesi shtatlartë për Supersport u shpreh:
“Kam thënë dikur që uroj të mos bëhemi si San Marino dhe shikohet që jemi një skuadër e mirë. Atmosfera është shumë e mirë, mezi presim të grumbullohemi. Mund të shënonim 5-6 gola, vetë i pata dy raste që në pjesën e parë”.
Muriqi foli edhe në lidhje me zërat e fundit të merkatos që e lidhin me një rikthim te Fenerbahce në Turqi. “ Kam kontratë 5-vjeçare me Lazion, janë investuar 20 milion euro. Fenerbahce është shtëpia ime. Është punë klubesh, nuk di çfarë të them më tepër.
Jam i lumtur te Lazio, është viti i parë. Kushdo ka pasur vështirësi në Serie A sezonin e parë. Kur të përshtatem do jetë më mirë. Po ndodh që po përshtatem dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të bëj njëlloj si me Fenerbahcen”. /abcnews.al