Muri me Meksikën, Trump skeptik për një marrëveshje me demokraët

schedule23:35 - 28 Janar, 2019

schedule 23:35 - 28 Janar, 2019

Edhe pse agjencitë federale amerikane iu rikthyen punës ditën e hënë, aktiviteti i tyre ka gjasa të mos e ketë të gjatë. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar për rrezikun e një bllokade të dytë, në mungesë të një marrëveshjeje me demokratët për murin, që sipas tij nuk ka shanse të arrihet.

Presidenti Donald Trump është shprehur skeptik mbi shanset për arritjen e një marrëveshjeje për murin me Meksikën, përpara se fondet për agjencitë federale të mbarojnë sërish muajin e ardhshëm. Trump ka folur për “Wall Street Journal” në një kohë kur rreth 800 mijë punonjës federalë u kthyen në punë pas bllokadës më të gjatë qeveritare në histori, që zgjati 35 ditë.

Presidenti republikan ka deklaruar se, nga ana e tij nuk beson se do ta ulë shumën e kërkuar për ndërtimin e murit. Ndërkohë, më 15 shkurt, Kongresit i duhet të negociojë një marrëveshje të re për të shmangur një bllokadë tjetër. Një komision ligjvënësish, nga të dy partitë pritet të nisë negociatat, por Trump ka deklaruar se shanset për një tejkalim të ngërçit politik janë më pak se 50 me 50 për qind.

Ai ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton një tjetër bllokadë në muajt në vazhdim, vetëm e vetëm që të arrijë qëllimin e prezantuar 3 vjet më parë në fushatë elektorale.

“Nuk e ul koston e murit. Më duhet ta bëj si duhet”, ka thënë Trump.

Ai ka shtuar se, nuk beson as se do t’u garantojë nënshtetësi emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur, sikurse kërkojnë demokratët. Trump dhe demokratët arritën të premten e kaluar një marrëveshje për t’i dhënë fund përkohësisht bllokadës, por në këmbim ai nuk mori asnjë dollar të taksapaguesve amerikane për ndërtimin e murit me fqinjin jugor./abcnews.al