Murgesha që i dhuroi jetën zotit/ “Nënë Tereza” dhe gjyshja ndikuan tek zgjedhja ime”

schedule16:32 - 12 Prill, 2025

schedule 16:32 - 12 Prill, 2025

Kjo godinë në pronësi të kishës katolike pranë një rrugice ne Kamëz është prej disa vitesh shtëpia e Motër Rita Dedës.

Siç thotë vetë ajo, jetën ia dhuroi Zotit dhe banesën e ka ndarë gjithnjë me murgeshat e tjera. Nga kjo botë do të largohet pa pasur kurrë një pronë të sajën.

Aktualisht jeton me një tjetër motër françeskane, rrugëtimi i të cilave ka qenë i përbashkët. Në shtëpi nuk iu mungon mikpritja, si zonja malësore.

Misioni i tyre është të shpërndajnë ndjenjën e dashurisë dhe besimin, aty ku mungon.

“Zgjohemi në 6.30 të mëngjesit dhe në 7 kemi një lutje. Meditim personal, reflektojme mbi fjalen e Zotit dhe ne pastaj shkojmë tek të tjeret. Shkojmë edhe tek të burgosurit. Na shohin si dritë shprese, sepse nepermjet nesh gjejnë fjalen e zotit. Iu japim atë mesazhin se Zoti është duke i dashtë edhe ata.”

Kjo është përditshmëria e 46 vjeçares prej më shumë se dy dekadash, në jetën e saj që iua dhuroi Zotit.

Ajo lindi në një familje me prejardhje dukagjinase, të shpërngulur në Torovicë të Lezhës, me traditë të vjetër katolike.

“Një familje që ka vuajtur shumë, ka qenë e persekutuar nga regjimi komunist. Besimi për ta ishte një kolonë e fortë tek i cili mbëashteteshin sepse gjyshin ma kanë vrarë kur ishte vetëm 30 vjec. Nuk është se kryenimin shumë rituale, kujtoj krishtlindjet dhe pashkët. Që përgatisnin ëmbëslira. Kuptonim që kishte dicka ndryshe nga ditët e tjera.”

Kur ishte ende shumë e vogël, kujton se një thirrje e brendshme e shoqëronte gjithnjë, që më vonë i shenjoi jetën. Kujton dy persona që ndikuan tek ajo të niste këtë rrugëtim.

“Ka qenë Nënë Tereza. Në moshën 14 vjeçare e kam takuar rastësisht në rrugë, kam parë që po kalonte një makinë e veçantë përpara shtëpisë time. Nuk e di cfarë më ka shtyrë mua që tja bëj me dorë një makine që të ndalojë. Ka zbritur, kjo plakë e vogël më është afruar, ka nxjerrë nga xhepi disa medalje të zojës së bekuar dhe mi ka ofruar. Nuk kuptojna se kush ishte ajo. Kisha këtë ndjesinë që jam afër një personi të madh dhe të shenjtë. Kujtoj vetëm që kur më dha medaljet, më tha jepua edhe shokëve tuaj dhe lutu. Personi i dytë që ka ndikuar në jetën time, ka qenë gjyshja. Gjithë jetën e saj është lutur që një nip ose mbesë t’ja kushtojë jetën zotit. Ajo ka qenë e premtuar nuse që në barkun e nënë, por në moshën 15-16 vjeçe ajo ka ikur, ka shkuar tek motrat sepse kishte këtë thirrje, para regjimit komunist. Por pastaj në zonat malore, fjala është besë dhe besa nuk thyhet, kanë shkuar e kanë marrë tek motrat dhe e martuan.”

Pas takimit me shenjtoren shqiptare, Rita Deda në atë kohë adoleshente kërkon të njohë rrugën drejt Zotit.

“Shkoj te motrat në shkodër. Iu them po kërkoj Jezusin. Më dhanë disa libra dhe më thanë lexo, shko në shtëpi. Aty ka qenë ai ballafaqimi i fortë që zoti nuk ishte një ide, por një person që cdo ditë punonte në zemrën time.”

Në adoleshencë kupton se ndodhej mes dy zgjedhjeve. Si çdo vajzë tjetër, edhe ajo ëndërronte që një ditë të ndërtonte familjen e saj dhe nga ana tjetër ndjente se nuk mund të ishte një njeri i zakonshëm.

“Kam filluar shkollën e mesme dhe gjithnjë më rritej vetëdija që zoti po më thërret për diçka të veçantë. Është ai momenti që ti e ke vetëdijen, por nga ana tjetër është edhe mosha, isha adoleshente dhe disi e spostova këtë ëndërr dhe filloj të frekuentoj normal, grupet, shoqërinë, shkollën. Krahasaj kësaj mendoja të kisha edhe një familje timen. e kam menduar sepse duke parë edhe modelin e bukur të familjes që më kishte transmetuar familja ime. E shihja si dicka të bukur.”

Në iluzionet e saj kishte edhe figurën e mashkullit ideal.

“Më vjen për të qeshur se burrin e kam ëndërruar ta gjej si babain. Më kishin transmetuar një model të mirë dhe sot kemi nevojë për këto figura, modele, për t’i ndjekur.”

Në rininë e hershme, Rita përjetoi dashurinë, ndjenjën më të bukur në botë.

“Ne jetojmë me ndjenja, me afekte, përjetojmë. Mendoja që mund të bëj një familje, fillova edhe të frekuentoj grupe, persona. Realisht kisha një person që kisha shumë ndjesi, simpati për të. Njëkohësisht, ishte e përbashkët dhe pikërisht ishte ky moment kur vazhdova dhe gjimanzin që ndonjëherë më dilte në pah kjo dëshirë për tja dhuruar jetën zotit dhe për ti shërbyer në mënyrën më të vecantë. Nga njëra anë më dilte në pa dëshira për t’u martuar.”

T’i ndalosh vetes dashurinë është një mision i vështirë. Por si veproi Rita Deda e ndodhur në udhëkryqin mes dashurisë për Zotin dhe asaj njerëzore?

“Kam filluar të mendoj seriozisht, kishin ardhur persona të tjerë të më kërkonin dorën, isha 17 vjeç. Aty jam futur në një krizë më të fortë, kam lutur ztin shumë: Zot më trego, çfarë këron prej meje! Sot e kuptoj ndryshe sepse Zoti kishte një ëndërr për mua. Unë ëndërroja në njërën anë, dhe zoti në anën tjetër për mua. Nuk ishte shumë e thjeshtë për ta ndarë sepse ishin dy të mira.”

Mes ndjesive që i trazonin mendimet, merr vendimin e jetës.

“Në këtë moment kanë adhur motrat françeskane në fshatin tim dhe nisa t’i frekuentoj. Ndihesha si në shtëpinë time. Aty kam vendosur, Jezusi vendosi për mua!”

Zgjedhja që bëri, e vendosi Rita Dedën në një tjetër përballje të vështirë. Familja kundër saj.

“Babi edhe pse ishin besimtarë, nuk kishte dëshirë. Donte të më shihte me një familje. Në fillim ka qenë një luftë. Ai që e ka përjetuar më keq ishte vëllai i madh.Më tha nëse ti del nga kjo shtëpi, nuk hyn më asnjëherë. edhe kur kthehesha në shtëpi, ai ikte nga shtëpia. Për disa muaj ka qenë kështu. Dalëngadalë edhe ata më kuptuan sidomos kur isha unë e lumtur.”

Për jetën e re që nisi, hoqi dorë po ashtu nga ëndrrat dhe pasionet. Një tjetër yll shqiptar e ka frymëzuar që e vogël.

“Unë jam stërmbesa e Tinka Kurtit. Nëna ime e ka vajzë daje. Aktrimin e kam në shpirt.”

Në misionin e saj motër Rita thotë se është fryma e dashurisë e shoqëron çdo ditë dhe ndihet e përmbushur kur iu vjen në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Duhet ta mbrojmë fort familjen përballë krizave të ndryshme. Ka një krizë të madhe te njeriu në vetvete. Dua të perifrazoj shën gjon palin e dytë që ka thënë: Mos kini frikë t’ja hapni zemrën zotit sepse ai nuk iu merr asgjë, por iu dhuron gjithçka.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!