Mungon vetëm firma, Rrahmani e Napoli bien dakord për rinovimin e kontratës

schedule10:55 - 22 Prill, 2023

schedule 10:55 - 22 Prill, 2023

Ecuria fantastike në Champions dhe fitimi i titullit kampion (ende jo zyrtar) me Napolin, duket se ka mjaftuar që mbrojtësi “dardan” Amir Rrahamani të rinovojë kontratën e tij, me klubin nga jugu i Italisë, pas një sezoni ku 29-vjeçari së bashku me koreanin Kim-Min Jae kanë qenë ndër protagonistët absolut në prapavijën e “bluve”.

Sipas raportimeve të gazetarit të mirënjohur italian, Gianluca Di Marzio, menaxheri i Rrahmanit, Adrian Aliaj është takuar me drejtuesit e klubit “napoletan” ku kanë rënë dakord për detajet e kontratës së re, të kapitenit të Kosovës.

Në thelb kontrata e re që pritet të firmoset nga të dyja palët në ditët në vijim është një marrëveshje 5-vjeçare, teksa fillimisht ka një skadencë deri në verën e vitit 2027, por si klauzolë ka një opsion rinovimi edhe për vit ekstra në rast se Rrahmani do të dojë ose jo të luajë me fanellën e “bluve” në atë moshë.

Ndërkaq, kujtojmë se deri më tani në 90 paraqitjet e zhvilluar me fanellën e italianëve, përveç ndërhyrjeve “klinike” në vijën e fundit të mbrojtjes, Rrahmani ka arritur të ndihmojë shokët e tij të skuadrës me 7 gola, si dhe ka dhuruar 2 asistime në të gjitha kompeticionet. /i.m /abcnews.al