Tashmë gjithçka është “vulosur”, Theo Hernandez nuk do të jetë pjesë e “kuqezinjve” të Milan, në sfidën tejet e rëndësishme të javës së 9 të Kampionatit italian të futbollit, Serie A, ndaj “bardhezinjve” të Juventus.
Shumëkush mund të mendojë se është për një arsye serioze, por jo, anësori francez i mbrojtjes u ndëshkua me karton të verdhë në sfidën e mbrëmjes së kësaj të shtune, ndaj Genoa, duke plotësuar numrin e kartonëve të verdhë për pezullimin në ndeshjen pasardhëse.
Zëvendësuesi i Theo Hernandez në të majtë mund të jetë Alessandro Florenzi, i cili gjatë këtij sezoni është përdorur gjithmonë në të djathtë, përveç përballjes Milan-Verona, kur u bë i nevojshëm zëvendësimi i mbrojtësit francez. /i.m /abcnews.al