Kur vjen e keqja, hapi derën.
Kështu thotë populli, dhe vërtetësinë e kësaj shprehjeje po e provon Mançester Siti.
Skuadra e lavdishme angleze, kampione në fuqi e Premier Ligës, pësoi humbjen e radhës, ndërsa seria negative duket sikur nuk do të ndalojë kurrë.
Të mbiquajturit “Qytetarët” u mundën 2-1 në stadiumin “Vila Park” nga Aston Vila vendase, në një atmosferë tipike prej futbollit të vjetër anglez.
Në prani të mbi 40 000 tifozëve, Jon Duran shënoi për vendasit në 16’, dhe Morgan Roxhers dyfishoi shifrat pas pushimit, në 65’.
Edhe pse skuadra e Pep Guardiolës sërish e mbajti topin më shumë, sipas stilit të saj të shquar, sërish Aston Vila iu përgjigj në çdo moment, duke mos vjedhur gjë.
Gjithçka që mundën të bënin kampionët ishte goli I ngushëllimit në minutën e tretë shtesë nga Foden.
Kjo ishte humbja e tretë radhazi në të gjitha kompeticionet, dhe e 9-ta në 12 sfidat e fundit.
Pak rëndësi ka fakti që Erling Haland është shënuesi më I mirë I kampionatit me 13 gola, po aq sa Mohamed Salah.
Ekipi duket I dorëzuar, dhe ai vetë nuk po shënon ndaj rivalëve kryesorë.
Siti është gjithnjë e më larg zonës Champions, në vendin e gjashtë me 27 pikë, I kaluar edhe nga Aston Vila, ndërsa kreu për të cilin luftojnë Liverpuli, Çelsi e Arsenali duket I paarritshëm. /abcnews.al