Mundësi të reja për Start up-et shqiptare/ Aplikimet për Programin “Get in the Ring Albania”. Fituesi shkon në “Ringun Global”

schedule15:54 - 13 Maj, 2024

schedule 15:54 - 13 Maj, 2024

Në përpjekje për të inkurajuar inovacionin dhe zhvillimin e bizneseve në Shqipëri, programi “Get in the Ring Albania” (pjesë e patentës Get in the Ring Global konkursit më të madh të start up-eve në nivel global), ka hapur aplikimet për kompanitë dhe start-up-et që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë rrugëtim. Ky program ofron një platformë të veçantë dhe të suksesshme, me qëllim mbështetjen e  kompanive të reja në gjetjen e investimeve, bashkëpunimeve dhe rritjes së tyre në treg jo vetëm në Shqipëri por edhe ekspozimin e tyre edhe në nivel global.

Aplikimet mbyllen më datë 23 maj 2024, ndërsa në vijim të mbylljes së aplikimeve do të organizohen dy ditë mentorim në datat 24 dhe 27 maj 2024 te TUMO dhe përzgjedhja e ideve dhe ekipeve më të mira që do të marrin pjesë në garën finale, e cila do të organizohet në datë 28 maj 2024 te Teatri Kombwtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Për të gjithë ata që janë të interesuar hapat e aplikimit janë si më poshtë:

Regjistrimi i Informacionit Bazë:

Fillimisht, aplikantët duhet të plotësojnë një formular në linkun: https://getinthering.gribb.io/get-in-the-ring-albania/submit/903. Informacioni i nevojshëm përfshin:

– Emrin dhe Mbiemrin e aplikantit

– Emrin e Kompanisë (mund të zgjidhet përmes opsionit “Create your Company” në platformë)

– Detajet shtesë mbi aplikantin, përfshirë pozicionin në kompani

Informacioni mbi Kompaninë:

Pas regjistrimit të informacionit bazë, aplikantët duhet të ofrojnë një përshkrim të detajuar të kompanisë së tyre. Kjo përfshin:

– Informacion mbi kompaninë, përfshirë faqen zyrtare, vendndodhjen, datën e themelimit, dhe një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së tyre.

– Ekipin dhe eksperiencën e tyre

– Modelin e Biznesit

– Tregun dhe konkurrencën

– Teknologjitë që përdoret

– Situata financiare

– Arritjet dhe nevojat e ardhshme të kompanisë

Dokumentacioni Shtesë:

Aplikantët duhet të ngarkojnë dokumentacion shtesë, përfshirë një pitch desk dhe një video prezantim, me një kufizim maksimal prej 2 minutash për videon.

Pas plotësimit të të gjitha hapave të aplikimit, aplikantët do të marrin një faqe konfirmimi për të siguruar që të gjitha informacionet janë dorëzuar saktësisht dhe plotësisht.

Programi “Get in the Ring Albania” është një mundësi e shkëlqyer për start-up-et dhe kompanitë e reja të prezantojnë projektet e tyre para një juri të përbërë nga investitorë, ekspertë dhe biznesmenë të suksesshëm. Me hapjen e aplikimeve, programi do të sjellë përpara një valë të re të inovacionit dhe zhvillimit në tregun shqiptar. Ky program mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ambasada e Hollandës në Shqipëri, Agjencia e Start Up-eve, Qendra për Edukimin Teknologjik TUMO, si dhe nga sektori privat me partner zyrtar kompaninë multinacionale Titan Albania-Antea Cement ashtu si edhe sektori bankar gjithashtu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!