“Mund të shkelet kufiri”, G7 paralajmëron lidhur me rregullat për blerjen e naftës ruse

schedule07:45 - 2 Shkurt, 2024

schedule 07:45 - 2 Shkurt, 2024

Koalicioni i vendeve që kanë vënë një kufi tavan për çmimin e naftës ruse lëshoi një paralajmërim duke dhënë detaje lidhur me mënyrat sesi tregtarët e shmangin mekanizmin në fjalë dhe mënyrën sesi njerëzit mund t’i raportojnë shkeljet, thuhet në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera të G7 dhe Bashkimi Evropian njoftuan në fund të vitit 2022 vënien e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi për blerjen e naftë ruse, si reagim ndaj agresionit të Moskës mbi Kievin në shkurt të atij viti. ​

“Aktivitete të paligjshme mund të ndodhin në shumë entitete dhe sektorë të përfshirë në tregtinë e naftës ruse dhe nënprodukteve të saj”, thuhet në paralajmërimin e publikuar të premten. “Procese të dobëta dhe të pamjaftueshme të zbatimit të rregullave nga entitetet e përfshira mund të çojnë në shkelje të kufirit të caktuar për naftën ruse”.

Tetorin e kaluar, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara filloi të vendosë sanksione ndaj cisternave që dyshoheshin se transportonin naftë të blerë mbi kufirin e çmimit të caktuar prej 60 dollarësh për fuçi. Që nga viti i kaluar janë vënë sanksione ndaj rreth 24 cisternave.

Rregullorja për naftën ruse i ndalon kompanitë perëndimore që të ofrojnë shërbime të tilla si siguracioni, transporti dhe financimet për naftën e shitur mbi kufirin e çmimit tavan.

Vënia e kufirit të çmimit të naftës ruse synon që të zvogëlojë aftësitë e Rusisë për të financuar luftën në Ukrainë duke reduktuar të ardhurat e saj nga nafta, dhe njëkohësisht të sigurojë furnizimet e duhura për tregjet globale të naftës.

Sanksionet perëndimore kanë bërë që pjesa më e madhe tregtisë së naftës ruse të zhvendoset nga klientët tradicionalë evropianë drejt Indisë dhe Kinës. Kjo ka bërë që disa kompani transporti të përdorin cisterna të vjetruara për të bërë kontrabandë, për të cilat Departamenti amerikan i Thesarit thotë se po i shkurtojnë të ardhurat ruse.

Paralajmërimi thotë se disa anëtarë të koalicionit, përfshirë BE-në, kanë prezantuar masa për të vëzhguar më nga afër shitjen e cisternave në vendet e treta dhe për të parandaluar përdorimin e tyre për transportimin e naftës ruse me çmim mbi kufirin e caktuar./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!