Muçolli “hero” në Suedi, ylli kuqezi shpëton Goteborgun nga eliminimi

schedule12:27 - 19 Shkurt, 2024

schedule 12:27 - 19 Shkurt, 2024

E vështirë që të jetë në Europian, por nuk dorëzohet.

Arbnor Muçolli është një nga lojtarët e shumtë ofensivë në dispozicion të trajnerit Sylvinho, ndërsa e nisi sezonin në Suedi në mënyrën më të mirë.

Futbollisti i krahut shënoi dy gola në fitoren tepër të vështirë në Kupën e Suedisë, ndërsa Goteborgu ishte pranë një eliminimi vërtet të turpshëm.

Skuadra modeste, Nordik United, i kënaqi tifozët e saj në shtëpi duke qenë në avantazh 2-0 e pastaj 3-2, por Muçolli ndihmoi që të arrihej fitorja 4-3.

I përzgjedhur si titullar, ai luajti deri në fund dhe ishte mjaft aktiv. Fillimisht, shkurtoi shifrat në 1-2, pastaj humbi një penallti. Nuk hoqi dorë, goditi edhe shtyllën, dhe pikërisht në minutën e 4-ët shtesë e shpëtoi ekipin duke barazuar 3-3.

Shqiptari i Kosovës e mori sërish përgjegjësinë e 11-metërshit, dhe herën e dytë nuk gaboi. Ky kontribut për Goteborgun vjen pas sezonit shumë të mirë të kaluar, kur shënoi 6 gola e shërbeu 3 asistë në 17 ndeshje.

Me kombëtaren shqiptare, Muçolli ka luajtur vetëm 66 minuta, i aktivizuar në 4 ndeshje me Edi Rejën dhe Sylvinho, së fundmi në barazimin 0-0 me Ishujt Faroe në eliminatoret e Europianit./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!