Ishte e pritshme që të ndodhte kështu. Ernest Muçi ishte nga më të dalluarit në javën e fundit të Turkiye Superlig, dhe për këtë kontribut mori shpërblimin, me “yllin” e Kombëtares shqiptare, që u zgjodh mes më të mirëve, në formacionin e javës, teksa ishte protagonist me shënimin e një goli, në fitoren 2 me 0, të Besiktas, ndaj skuadrës së Ankaragucu.
Muçi mori notën 8.4, duke qenë më i miri në fushë dhe madje me diferencë nga lojtarët e tjerë, qoftë të “Shqiponjave të Zeza” e qoftë të ekipit kundërshtar e falë kësaj note të lartë, të dhënë nga faqja e specializuar “Sofascore”, futbollisti ofensiv arriti të siguronte një vend, mes 11 lojtarëve më të dalluar të javës së kaluar në elitën e futbollit turk.
Deri tani, ish-“ylli” i Tiranës, ka realizuar tri herë për ekipin e tij të ri, me të cilin u bashkua në janar të këtij viti. Ndërkaq, së fundmi ai luajti sërish në formacion për skuadrën e Besiktas, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Turqisë, ku kundërshtar ishte sërish Ankaragucu, por kësaj here përballje përfundoj pa gola, teksa fati i kualifikimit do të vendoset në sfidën e dytë që do të luhet në Stamboll në 7 maj, me “Shqiponjat e Zeza”, që synojnë trofeun e Kupës, pasi ka dështuar plotësisht në kampionat. /i.m /abcnews.al