Muçi shënon në Turqi/ Besiktas shmang humbjen falë yllit të kombëtares

schedule12:46 - 4 Janar, 2025

schedule 12:46 - 4 Janar, 2025

Kritika ka marrë shumë, por ndoshta nuk i meriton.

Ernest Muçi vërtet po kalon një sezon të vështirë në Turqi, krejt ndryshe nga edicioni i kaluar, por gjithsesi ishte ai që e shpëtoi këtë herë Beshiktashin.

Ylli i kombëtares shqiptare shënoi golin e barazimit 1-1 në fushën e Rizesporit, në sfidën e Superligës,

Vendasit kishin kaluar më herët në epërsi me një autogol, dhe lojtari ofensiv goditi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë, duke treguar klasin e tij.

Beshiktashi pati gjithsej vetëm dy gjuajtje në portë, dhe njëra prej tyre ishte goli.

Muçi ishte lojtari i dytë më i mirë në fushë pas portierit të Beshiktashit, Mert Gynok, që bëri pritje të mëdha, ndërsa pas ndeshjes foli me autokritikë.

“Nuk jemi me fat. Ne gjithmonë luajmë për fitore, por duhet të japim më shumë në fushë. Duhet të jemi më të mirë, sepse vetëm kështu mund ta kalojmë këtë moment të keq. Duhet të jemi më shumë skuadër, por edhe na duhet pak më shumë fat. Do të përpiqemi. Mund të them se e kam të vështirë të luaj jo në pozicionin tim, por përpiqem që të përshtatem. Unë dua të luaj aty ku ndihem më mirë, por kryesore është të ndihmoj ekipin”.

Sipas agjencive të statistikave, Muçi duhet vlerësuar shumë më tepër sesa po ndodh në Turqi.

Faktet janë kokëforta, pra që në 10 ndeshje, në të cilat ka qenë titullar, shqiptari ka shënuar 5 gola dhe ka shërbyer 2 asistë, duke qenë ndër më të mirët në fushë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!