Ishin ndër më të mirët, pikërisht atëherë kur duhet. Ernest Muçi dhe Milot Rashica shkëlqyen fort ndërsa Beshiktashi arriti një fitore të madhe në Ligën e Europës ndaj Atletik të Bilbaos, duke I dhënë sado pak vlerë një sezoni tepër të vështirë.
Ylli I kombëtares shqiptare ishte aktiv në lojë dhe krijoi njërin nga golat, ndërsa sulmuesi I Kosovës u tregua me të vërtetë I papërmbajtshëm.
Rashica dhe Rafa Silva realizuan nga dy gola, duke marrë një vlerësim shumë të lartë, 8.8, që të dy më të mirët në fushë. Muçi ndërkaq mori notë më të ulët, sepse nuk realizoi dhe iu dha nota 7.1, e cila gjithsesi duhet quajtur e mirë.
Edhe pse Bilbao u mund 4-1, sërish po flasim për një rival të nivelit të lartë, që dallohet në elitën e Spanjës.
Për Muçin, pati media turke që shkruajtën se u ndoq nga vëzhgues të Çelsit, e ndoshta lojtari I talentuar kuqezi mund të jetë në listën e dëshirave të trajnerit të Bluve të Londrës, Enco Mareska.
Me këtë sukses, Beshiktashi u ngjit në vendin e 18-të në renditjen e Ligës së Europës, duke pasur sado pak mundësi për kualifikim direkt në të tetat e finaleve, por më shumë duke pretenduar të arrijë plej ofin.
Natyrisht, gjithçka do të varet nga rezultati I ndeshjes së fundit në grupe, që Beshiktashi do ta luajë në Holandë ndaj Tventes.