Shqipëria U19 ka nisur përgatitjet për ndeshjet e radhës. Ekipi i Nevil Dedes do të zhvillojë një turne në Belgjikë që zhvillohet nga data 13 deri në 19 nëntor. Ekipi vendas, Islanda dhe Greqia janë kundërshtarët e kuqezinjve të vegjël.
Ernest Muçi dhe Arinaldo Rrapaj kanë dalë sot në konferencë për shtyp, aty ku flasin për gjendjen e ekipit, rivalët dhe objektivat. Të gjithë janë të motivuar dhe gati për të dhënë maksimumin në këto 3 ndeshje.
18-vjeçari i Tiranës vlerëson atmosferën e mirë që ekziston në skuadër dhe karikon shokët për këto duele. Muçi beson te kualifikimi dhe shpreson t’i hedhë hapat një nga një. Kombëtarja e madhe dhe aktivizimi në një klub jashtë janë objektivat e mëdha të kapitenit.
“Grumbullimi po ecën shumë mirë dhe deri më tani kemi zhvilluar tre seanca stërvitore. Grupi nuk është akoma i plotë, gjatë ditëve në vazhdim do të mbërrijnë edhe lojtarët e tjerë të cilët kanë ndeshje në fundjavë. Pasi grupi të jetë i plotë do të nisemi për Belgjikë dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën atje. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, jemi një grup që stërvitemi prej 8 muajsh bashkë, jemi shokë shumë të mirë dhe grup shumë i mirë.
Ne ndihemi gati, gjatë kësaj jave do të përgatitemi shumë fort sepse janë tre ndeshje brenda një jave për të dhënë më të mirën. Kualifikimi? Mundësitë i kemi, por vetëm duke dhënë 100% çdo lojtar dhe duke i marrë ndeshjet 1 nga 1 dhe me përqendrim mund të arrijmë kualifikimin. Objektivi im personal është kualifikimi në këtë turne dhe të shikoj për Kombëtaren U-21 dhe Kombëtaren A. Në të ardhmen dua të shitem në një skuadër jashtë Shqipërie për të provuar veten“, është shprehur Ernest Muçi.
Më pas fjalën e ka marrë Arinaldo Rrapaj, mesfushori ofensiv i Flamurtarit. 18-vjeçari beson te forca e ekipit, shpreson te kualifikimi dhe ëndërron që të mbërrijë te kombëtarja e madhe një ditë.
“Këto ditë të para të stërvitjeve po shkojnë shumë mirë, ne jemi një grup i mirë që kemi muaj që luajmë dhe stërvitemi bashkë. Mezi po presim të shkojmë në turne dhe të japim një paraqitje të mirë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, njihemi me njëri tjetrin prej kohësh dhe kjo ndikon te fryma e mirë në skuadër. Unë mendoj se jemi gati, kemi një skuadër të fortë.
Besoj se në Belgjikë do të kemi ndeshje të forta sepse edhe kundërshtarët janë të fortë por unë besoj se do të japim maksimumin dhe shpresojmë për paraqitje pozitive. Mendoj se do të kualifikohemi, besimin e kemi dhe po stërvitemi fort për të arritur këtë synim. Objektivi im, ashtu si edhe çdo lojtar është të shkoj te U-21 dhe Kombëtaren A, dhe pse jo të arrij një ekip sa më të mirë jashtë vendit”, përfundon Rrapaj. /abcnews.al