Tottenham pret Chelsea të dielën dhe do të tentojë fitoren e radhës në kampionat në derbin e zjarrtë. Marrja e tre pikëve i barazon ekipet në vendin e katërt, teksa portugezi do të përballet me të kaluarën e tij.
Mourinho komenton në konferencën për shtyp rinovimin e Toby Alderweireld, për të cilin thekson se ka ndikuar pak. Vlerësimi për “Blutë e Londrës” nuk mungon, por “Special One” nuk do hasë probleme në aspektin emocional.
RINOVIMI – “Rinovimi i Alderweireld është një lajm shumë i mirë. Ne jemi të lumtur, vetë Toby është i lumtur dhe mendoj se edhe tifozët ndihen njësoj. Unë kam ndikuar pak në këtë vendim. E vetmja influencë mund të jetë fakti që unë besoj shumë tek ai”.
CHELSEA – “Të tjerët mund të hasin vështirësi në leximin e një ndeshje të tillë, unë e kam më të thjeshtë. Për mua është thjesht një ndeshje, jam i përqendruar 100% të Tottenham dhe nuk ka vend për ish-klubet e mia. Kam dhënë gjithmonë gjithçka për Chelsea, por ata i përkasin së kaluarës tashmë. Do e kemi të vështirë, ata janë një skuadër e fortë, por nuk do të jetë një ndeshje e vështirë në aspektin emocional”. /abcnews.al