Jose Mourinho mori një tjetër goditje të rëndë në karrierën e tij tek Manchester United. Trajneri i famshëm portugez u eleminua nga Kupa e Ligës, ndërsa ka konflikte brenda skuadrës dhe brenda klubit.
I tillë ishte përfundimi në “Old Traford”.
Një Jose Mourinho i tronditur dhe i dëshpëruar në një përqafim me ish-nxënësin e tij, Frenk Lampard, që sapo e kishte eleminuar nga Kupa e Ligës.
Manchester United humbi, pas penalltive, duelin me Derby County në “Old Traford”, ndërsa trajneri portugez mori një tjetër goditje të rëndë në karrierën dhe në sedrën e tij.
Padyshim, ai mbetet një fitues, me 25 trofe në kabinetin personal, por punët tek United nuk po i shkojnë aspak mirë.
Një eleminim që në turin e tretë, që gjithsesi në Angli nuk është aq i pazakontë, i shtohet një krize të thellë që ka përçarë skuadrën dhe klubin e madh anglez.
Siç komenton media, Mourinho është në konflikt me yllin e tij, Paul Pogba, me agjentin e francezit Mino Raiolën, dhe me një nga shefat e United, Ed Uduord.
Ky i fundit, zv. shef ekzekutiv bëri një paralajmërim një ditë para ndeshjes, se tradita dhe tifozët kërkojnë që Mourinho të fitojë kupa, diçka që ai nuk e bëri dot vjet, dhe që vështirë ta bëjë edhe këtë sezon.
United po mbetet prapa Liverpool-it, Manchester City-t e Chelsea-t në garën për titull në Premier, ndërsa portugezi nuk duket në pozita të forta për të fituar Championsin për herë të tretë në karrierë.
Konflikti me Pogbanë po dëmton harmoninë në ekip, me francezin që kritikoi hapur taktikat e trajnerit, dhe me Murinjon që e qortoi në sy të lojtarëve të tjerë, duke i thënë se nuk do të ishte më kurrë kapiten.
Si do të përfundojë kjo që mund të quhet “luftë civile” në “Old Traford”?
Një klub i madh, më i famshmi i Anglisë dhe një ndër më të pasurit në botë, po kalon paradoksin e mungesës së kupave në fushë, dhe të fitimeve të mëdha financiare.
Me shumë gjasë, Mourinho nuk do të arrijë t’i kthejë gjërat për mbarë, ndërsa basti në Angli është nëse trajneri i shquar do të arrijë ta përfundojë sezonin apo jo./abcnews.al