Tottenham fitoi 2-1 derbin e Londrës veriore kundër Arsenalit, një triumf i rëndësishëm sidomos për tifozët e ekipit të Jose Mourinhos. “Topçinjtë” e gjetën të parët golin nëpërmjet një perle të Lacazette, por Son dhe Alderweireld përmbysën gjithçka me realizimet e tyre.
Mourinho u shfaq i lumtur pas ndeshjes, duke analizuar lojën e djemve të tij. Fitimi i derbit është gjithmonë një emocion i madh dhe “Special One” ndihet krenar për këtë sukses. “E preka me duart e mia lumturinë e djemve për fitoren e sotme. Ky është një sukses i veçantë për ne.
Dikush mund ta ketë harruar që kishim më pak kohë në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje, por djemtë bënë gjithçka që u kërkova, në aspektin taktik dhe mental. E luajtën këtë derbi sikur të ishin tifozë, kjo është shumë e rëndësishme.
Tani mund të luftojmë për t’u kualifikuar në Europa League dhe ndihem shumë krenar. Mund të zbavitemi dy ditë, por më pas është radha e Newcastle. Është një fushë në të cilën nuk kam fituar kurrë“, deklaroi Mourinho. /abcnews.al