Moto GP/ Mark Markez transferohet te Dukati

schedule19:30 - 13 Tetor, 2023

schedule 19:30 - 13 Tetor, 2023

Tani është edhe zyrtare, Mark Markez do të garojë me Dukatin në ekipin “Gresini Racing” në sezonin e ardhshëm të Moto GP-së.

Disa ditë pas njoftimit zyrtar për largimin nga Honda, piloti spanjoll vendosi të pranojë këtë sfidë të re, me objektivin për t’u kthyer te fitoret.
Lajmin e ka dhënë dje vetë skuadra italiane, me një deklaratë për shtyp të lëshuar para fundjavës në Indonezi.

“Familja Gresini është e kënaqur të njoftojë ardhjen e Mark Markezit për sezonin 2024. Spanjolli, kampion i shumëfishtë i botës, së fundmi njoftoi ndarjen e tij nga Honda dhe duke filluar nga viti i ardhshëm ai do të jetë piloti i ri i ekipit Gresini. Së bashku me vëllai Aleks do të formojnë një dyshe ëndrrash”, shkruhet ndër të tjera në komunikatën e skuadrës Gresini.

Ndërkohë kanë ardhur edhe fjalët e para si piloti i Dukatit nga tetë herë kampioni i botës: “Jam i emocionuar për këtë sfidë të re. Nuk ishte një vendim i lehtë, sepse do të jetë një ndryshim i madh në të gjitha aspektet. Ndonjëherë në jetë ju duhet të dilni nga zona juaj e rehatisë dhe të sfidoni veten që të vazhdoni të rriteni.

Sa i përket ndryshimit të motorit, e di që do të më duhet të përshtat shumë gjëra në stilin tim të drejtimit dhe nuk do të jetë e lehtë. Por jam i bindur se e gjithë skuadra e Gresinit do të më ndihmojë shumë. Mezi pres të takoj ekipin dhe të filloj të punoj me të gjithë këta njerëz. Dua të falënderoj Nadian, Karlon dhe Mikelen për besimin dhe respektin që më kanë treguar”, deklaroi Mark Markez.

Pronarja e ekipit, Nadia Padovani Gresini, u shfaq gjithashtu shumë e lumtur për nënshkrimin me një kampion si Mark Markez: “Është një moment historik për ‘Gresini Racing’. Fakti që Mark Markez ka zgjedhur të garojë me ne sezonin e ardhshëm është absolutisht fantastik dhe jam shumë e lumtur që e zyrtarizojmë. Në më pak se një sezon ne jemi bërë shumë të dashur për vëllain e tij dhe në të njëjtën mënyrë do të mirëpresim Markun. Jemi të bindur se ai ka të gjithë potencialin për të qenë menjëherë konkurrues në ‘Desmosedici GP23’”, u shpreh Nadia Padovani Gresini, pronarja e skuadrës./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!