Moti i keq/ Veliaj bën bilancin: 100 incidente në Tiranë, 3 të plagosur në spital

schedule21:15 - 5 Janar, 2020

schedule 21:15 - 5 Janar, 2020

Rreth 100 incidente janë shkaktuar në Tiranë nga moti i keq dhe 3 persona janë lënduar. Kështu tha kreu i bashkisë, Erion Veliaj në një intervistë për TCH.

“Kemi sot rreth 60 brigada në terren. Këtu përfshij brigadat e zjarrfikëseve, kemi pasur disa raste vandalizmi, djegie të koshave të plehrave. Sapo kishim një djegie të një kamionçine në Kodër-Kamëz, në Institut Bujqësor. Kështu që me Policinë bashkiake, policinë e shtetit, zjarrfikëset, dhe të gjithë repartet e gjelbërimit, kryesisht që bëjnë krasitjen e pemëve të rëna, jemi prezent në këto 100 incidente. Kështu që ftesa për të gjithë qytetarët për të mos rrezikuar ashtu siç patëm 3 raste minore plagosjesh është që të rrinë brenda dhe të presin që Bashkia dhe gjithë autoritetet të normalizojnë situatën deri nesër në mëngjes”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të kufizojnë lëvizjen gjer në normalizimin e motit.

“Kemi pasur rreth 100 incidente të regjistruara në Tiranë. Pema e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, është ndoshta ajo më e padëmshmja, sepse është artificiale dhe plastike. Ndërkohë që pemët shekullore, ato përgjatë Bulevardit, si te kryeministria, pema e fundit që sapo ra te Presidenca, apo pemët përgjatë bulevardit rreth lumit Lana, kanë qenë ato më problematiket. Kemi pasur rreth 100 incidente të tilla, fatmirësisht pa të lënduar rëndë. Kemi vetëm 3 raste të lënduarish momentalisht në spitalin e Traumës. Kryesisht nga tjegulla, apo parapeta të rëna nga pallatet. Ndaj edhe këshilla për gjithë qytetarët është rrini brenda, sot është një ditë pushimi. Nuk ka asnjë arsye madhore për të qenë jashtë, në momentin që sipas sinoptikanëve vazhdojnë erërat e forta. Është një erë jashtëzakonisht e lartë. Parashikohet që deri në orën 6-7 të mëngjesit këto erëra të jenë kthyer në normalitet”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa permes një postimi në facebook, ai falenderon mjeket e spitalit të Traumës dhe punëtoret që po heqin pemët e rrëzuara nga rrugët.


Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!