Moti i keq, Peleshi: Situata paraqitet më e mirë, po punohet për pastrimin e disa akseve në qarqet Dibër dhe Shkodër

schedule22:13 - 3 Nëntor, 2023

schedule 22:13 - 3 Nëntor, 2023

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thotë se situata e e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi u shpreh se po punohet për pastrimin e disa akseve në qarqet Dibër dhe Shkodër.

Duke iu referuar parashikimeve nga IGJEO, Peleshi deklaroi se gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit.

“Situata e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje. Tri ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm. Vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.

Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, ku në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta. U bëjmë thirrje qytetarëve të njoftojnë në kohë, në rast nevoje dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme”, shkruan Peleshi në Facebook.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!