Moti i keq godet Italinë, përmbytje e stuhi

schedule08:30 - 14 Maj, 2019

schedule 08:30 - 14 Maj, 2019

Moti i keq ka goditur edhe Italinë. Në Emilia Romanja, por edhe ne zona të tjera dalja e lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitjet e tokës kanë shkaktuar shumë probleme.

Bora në lartësitë e mëdha mbi nivelin e detit në Veri të Italisë është surpriza e kësaj prag vere në vendin fqinj. Në  zonat e tjera moti ka goditur me reshje shiu dhe stuhi. Situata më e rëndë është në  Emilia-Romagna ku alarmi është rritur në nivelin e kuq, për shkak të përmbytjeve.

Disa lumenj kanë dalë nga shtretërit dhe ujërat kanë pushtuar zonat e banuara dhe tokat bujqësore. Linja hekurudhore Bologna-Rimini u pezullua për disa orë, por hekurudhat kane probleme e bllokime të herëpashershme edhe në zona të tjera.

Shqetësime  ka edhe në zonën e Modenas ku lumenjtë Secchia dhe Panaro kanë dalë nga shtrati. Rrëshqitje  të dheut dhe përmbytje raportohen edhe në shumë zona të Bolonjës.

Në vëzhgim po mbahen lumenjtë edhe në zonën e Ravenës. Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit po punojnë më shumë grupe dhe mjete për të shpëtuar njerëzit e rrezikuar apo që kanë mbetur te bllokuar  në ndërtesat e rrethuara nga ujërat.

Autoritetet kanë bërë thirrje për evakuimin e banorëve më të rrezikuar nga përmbytjet, apo për zhvendosjen e tyre në katet e sipërme të banesave. Përmbytjet e shkaktuara nga moti i keq në Emilia – Romagna këtë pranverë kanë shkaktuar miliona euro në dëm në kultura bujqësore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!