Viktima dhe të evakuuar në Europë si pasojë e motit të keq që ka përfshorë Greqinë, Italinë dhe Francën. Shumë ndërtesa janë përmbytur ndërsa në disa zona të Greqisë shkollat do të qëndrojnë të mbyllura.
Shkollat në rajonin e Atika në Greqi janë pjesërisht të mbyllura për shkak të problemeve të shkaktuara nga një stuhi, sipas raportimeve të së përditshmes greke Kat’himerini.
Ndërkohë që si pasojë e motit të keq, dy persona kanë humbur jetën në Antirio, në Greqinë perëndimore.
Reshjet e dendura dhe rrëshqitja e dherave e mbeturinave kanë bllokuar të dy krahët e autostradës Athinë – Korint afër Elifsina-s si dhe rrugën e vjetër që lidh dy qytetet. Nga ana tjetër Protot’hema, njofton se pothuajse e gjithë Greqia është në kthetrat e një stuhie të madhe që ka lënë pas rrugë të përmbytura, shtëpi të zhytura nën ujë dhe zjarrfikësit që po përpiqen të shpëtojnë civilët që janë bllokuar brenda banesave. Sipas autoriteteve greke, ata që kanë planifikuar udhëtime për në Peloponez, duhet t’i shtyjnë.
Ndërkohë shënohen viktima dhe të zhdukur dhe në Francë në rajonin francez del Var mes Marsejës dhe Tuluzës, ndërsa në Liguria të Italisë ka përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Në Francë me qindra banesa janë evakuuar, si masë sigurie, dhe shumë ndërtesa në pronë të bashkive janë transformuar në vendstrehime të përkohshme.
Në Itali forcat e kërkim shpëtimit prej orëve të para të ditës kanë nisur kërkimet për një person të shpallur të zhdukur. Niveli i lumit Po është shqetësues dhe rrezikon të përmbysë një bashki në Torino, nëse del nga shtrati. Ndërsa mes Alesandrisë dhe Torinos janë më shumë se 500 personat e evakuuar për arsye sigurie.
Situata do të mbetet kritike deri në mesnatën e së hënës dhe pse sipas metereologëve reshjet do të pushojnë deri në mbrëmje. Nuk është më e qetë situata në pjesën më të madhe të Lombardisë, ku lumi Ticino është shumë pranë daljes nga shtrati. Një numër i madh ndërtesash pranë lumit janë pjesërisht të përmbytura. /abcnews.al