Një numër i konsiderueshëm fshatrash në qarkun Gjirokastër po përballen me mungesën e energjisë elektrike. Kjo është pohuar nga prefekti i qarkut Odise Kote, i cili është shprehur se aktualisht grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve te krijuara.
“Prej 48 orësh shtabi i emergjencave është duke monitoruar situatën. Bashkë me shtabin janë edhe ndërmarrjet rajonale. Tani situata është e tillë, të gjitha rrugët nacionale janë funksionale, të gjitha rrugët rurale janë të hapura. I gjithë qarku i Gjirokastrës furnizohet me ujë të pijshëm. Kemi probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona”, deklaroi Kote.
Sa i takon situatës se krijuar si pasojë e reshjeve në qarkun Gjirokastër nuk ka asnjë aks të bllokuar. Ndërsa niveli i ujit nuk paraqitet problematik të paktën deri në këto momente.
I vetmi aks rrugor i bllokuar gjate këtyre dy ditëve ka qene i Kolonje-Golem si pasoje e vërshimit të përrenjve malore, por pas ndërhyrjes se bashkisë Gjirokastër tashme edhe ky aks është plotësisht i kalueshëm për mjetet. /abcnews.al