Moszbardhja e së shkuarës, peng nga perversiteti dhe krimi

schedule19:31 - 27 Korrik, 2022

schedule 19:31 - 27 Korrik, 2022

Nga Agim Baçi

Disa vite më parë ne nuk deshëm të besojmë sondazhin e mbështetur nga OSBE lidhur me praninë e madhe të nostalgjikëve të kohës së diktaturës. Janë jo të paktë ata që mbrojnë ende emra e ngjarje edhe pse janë falisfikuar sipas ideologjisë komuniste. Ndërkohë që prej shumë vitesh, sapo hapet debati për dhënien me një shpjegim të filmave të kohës së diktaturës, ndjen se edhe ata që hiqen si mbështetës të demokracisë, të sulmojnë për shkak se, sipas tyre “po sulmohet mundi dhe djersa e artistëve”, pa dhënë kurrë asnjë shpjegim se çfarë sjell ende “ai mund”.

Të gjitha këto kundërshti të pranimit të asaj që ka ndodhur në diktaturë janë fakti më kokëfortë se sa shumë mendje janë ende viktimë e të menduarit kriminal. Madje shumë nga ata që mbështesin atë mendësi janë më së shumti peng i veprimeve të tyre kriminale në kohë të diktaturës dhe se në mbi 30 vite ndryshimesh politike nuk janë bindur për përmasat e asaj ligësie as kur kanë parë e dëgjuar për krime monstruoze, për një sjellje antinjerëzore, jo vetëm nga sigurimi i shtetit por nga çdokush që ka besuar me shpirt te ai sistem.

Në të gjithë këto vite ka pasur publikisht mbrojtës të personave që kanë bashkëpunuar me sistemin me justifikimin banal se “ashtu ishte koha”. Por ka edhe mendje perverse, si ai i disa viteve më parë, i një farë Fitim Çaushi (shkrim i botuar në gazetën “Dita” më 14 mars 2017 me titullin- “Krimet e komunizmit” nga demagogë dhe frikacakë) i cili përmes një arsyetimi jo vetëm pervers, por edhe kriminal, këmbëngulte në drejtësinë që kishte ai sistem në pushkatimin e dy poetëve, si sabotatorë të atij sistemi. Mendje si Çaushi, që guxoi edhe pas shumë vitesh kur janë provuar qindra e qindra krime monstruoze, të këmbëngulë në vrasjen e poetëve – sipas tij me të drejtë- nuk janë veçse pjesa publike e djallëzisë që kanë mbrojtur në këto vite krimin monstruoz.

Eshtë e vërtetë, që gjyqi moral ndaj një personi apo disa personave nuk e zbardhin të shkuarën. Por ama, dëshmitë e tyre për atë që kanë bërë apo që kanë patur dijeni, është gjëja më e vogël që duhej të kishin bërë në këto 30 vite. Sepse, të jetosh pa pendim, të mos guxosh të thuash të vërtetën, do të thotë se je ende nën petkun e krimit dhe se nuk je çliruar prej atij mentaliteti. Mjafton këtu të përmendim faktin se, ish pjestarë të togave të pushkatimit, nuk kanë guxuar në 30 vite t’u tregojnë disa familjarëve për eshtrat e të afërmve të tyre – gjë që nuk ka precedent të ketë ndodhur në asnjë rregjim tjetër, pasi për vdekjen dhe të vdekurin ka një respekt të përbotshëm. Ndërkohë që pak kush nga të rinjët e sotëm e di se ai sistem i shkuar, e mbante të burgosurin edhe të vdekur pa ia dorëzuar familjarëve, deri sa të mbusheshin vitet e dënimit nëse do kish qenë i gjallë!!!. Një veprim i tillë monstruoz nuk ka shpjegime logjike për t’u mbrojtur. Aq më pak për të ngritur alibira justifikuese.

Por, në fakt, çfarë ka ndodhur në këto tri dekada ndryshimi të regjimit? Në fillim nuk kemi dashur të besojmë misionin e shumë ish-komunistëve, e sidomos shumë ish bashkëpunëtorëve të Sigurimit famëkeq për t’iu bashkangjitur themelimit të partive që u themeluan pas dhjetorit ‘90. Entuziazmi për të ngritur një shoqëri larg dhunës dhe fjalia famëkeqe “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” la pezull ndëshkimin moral të krimeve në diktaturë, edhe pse në kohën e “Qeverisë Meksi” ishte në fuqi ligji për “Lustracionin”. Kjo pjesë që vinte nga bashkëpunimi me të shkruarën kriminale, si ideatorë apo të përdorur, bëri që të gjitha projektet për të zbardhuar të shkuarën komuniste të mbeteshin pezull. Madje, edhe më keq, pasi u la të kalohej në atë që mund të quhet “thashethemologji”, ku u tentua të bëhej pis kushdo, duke errësuar rrugët drejt së vërtetës.

Librat si ai i At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Agim Mustës, Lek Pervizit, apo edhe shumë studime nga Instituti Për Krimet e Komunizmiti, që tregonin krimet komuniste, erdhën në një kohë kur vëmendja nuk ishte më në zbardhjen e së shkuarës, ndërkohë që jeta rozë apo kujtimet e ish anëtarëve të “Bllokut” prej kohësh kishin pushtuar gazeta, televizione e aktivitete të ndryshme, jo pak herë të mbështetura edhe nga fonde publike.

Për të kuptuar betejën “ideatorë – të përdorur” vlen të risjellim në mendje atë që shkruante disa kohë më parë Profesori Sami Repishti, tek një shkrim në gazetën Panorama, nën titullin: “Shprehja ‘armik i popullit’, si histori dhe paralajmërim”. Ai kujtonte bisedën me ish funksionarin e Sigurimit më 1948, Gjovalin Mazrekun, që i shpjegonte se, sistemi arkivor i spiunëve mbahej për informatorët që ishin rekrutuar nga ish pronarët apo kundërshtarët politik, ndërkohë që për ideatorët e e survejimit dokumentet do të zhdukeshin menjëherë nëse rrëzohej sistemi. E në fakt, duket se ajo çfarë ka paralajmëruar Mazreku ka ndodhur, duke lënë më shumë hije se sa dritë në atë që ka ndodhur realisht me shqiptarët.

Po, a ishin të gjithë kriminelë ata që mbështetën komunzimin, sistemin e shkuar? Më mirë se kushdo e ka shpjeguar shkrimtari i famshëm çek, Milan Kundera, teksa thekson se, “regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit. Më pas u bë e qartë se nuk ezksitonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin veçse vrasës”.

Pikërisht vijimi i mbrojtjes së atij entuziazmi që i çoi në krim apo në bashkëpunim moral një pjesë jo të vogël të shoqërisë shqiptare, edhe pasi janë publikuar tashmë krime makabre të Enverit me shokë, është edhe e keqja jonë që vijon të na përkulë çdo ditë duke mos na lënë të shikojmë si duhet të nesërmen tonë. Sepse askush që nuk ka kurajë të shohë në sy të shkuarën nuk mund të jetë i drejtë me të ardhmen.
Dhe për këtë pafuqi për të lexuar të djeshmen ne të gjithë duhet të ndihemi të tupëruar. Sepse kjo këmbëngulje për të mos pohuar mëkatin është i rëndë jo vetëm për ne, por edhe për brezat që do të vijnë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!