Sipas informacioneve, Mossad rekrutoi agjentë iranianë për të vrarë liderin politik të Hamasit, Ismail Haniya, pasi izraelitët nuk mund të arrinin lehtësisht tek ai.
Telegraph shkroi se plani fillestar ishte të vriste Ismail Haniya majin e kaluar, kur ai mori pjesë në funeralin e Ebrahim Raisi, ish-president i Iranit.
Megjithatë, operacioni nuk u realizua për shkak të numrit të njerëzve brenda ndërtesës në atë kohë dhe probabilitetit të lartë të dështimit të tij, thanë dy zyrtarë iranianë.
Në vend të kësaj, agjentët vendosën pajisje shpërthyese në tre dhoma të ndërtesës ku mund të qëndronte Haniya. Ata u panë gjithashtu duke lëvizur fshehurazi ndërsa hynin dhe dilnin në disa dhoma brenda pak minutash, sipas zyrtarëve që kanë parë pamjet nga kamerat e sigurisë së ndërtesës.
Më pas u tha se ata ishin larguar fshehurazi nga vendi, por ende kishin një burim në Iran. Në orën 2 të mëngjesit të së mërkurës, ata shpërthyen eksplozivin nga jashtë në dhomën ku ndodhej Haniya, duke e vrarë atë.
“Ata tani janë të sigurt se Mossad ka rekrutuar agjentë nga njësia e mbrojtjes Ansar al-Mahdi,” tha një zyrtar i IRGC nga Teherani.
“Pas hetimeve të mëtejshme, ata zbuluan pajisje shtesë shpërthyese në dy dhoma të tjera,” shtoi ai.
Gjithashtu, një zyrtar i dytë i forcave elitare ushtarake të IRGC tha: “Ky është një poshtërim për Iranin dhe një shkelje e madhe e sigurisë.” Sipas një raporti të NeW York Times, Irani ka arrestuar dhjetëra persona, duke përfshirë oficerë të lartë të inteligjencës dhe zyrtarë ushtarakë./abcnews.al